INTERESANTE

Shqiptari Ahmed Pasha, kryeministri që përcaktoi kufirin Osmano-Iranian për shekuj

Ardian Muhaj: Shqiptari Ahmed Pasha, kryeministri që përcaktoi kufirin Osmano-Iranian për shekuj

Ahmed Pasha ka qenë kryeministër i Perandorisë Osmane në kohën e Sulltan Sulejmanit I nga viti 1553 deri në vitin 1555. Në këtë post erdhi pas drejtimit të fushatës së suksesshme në Hungari ku osmanët morën Timishoarën dhe pas krizës që shkaktoi vrasja e princit trashëgimtar Mustafa nga Sulejmani I, si pasojë e intrigave të ruses Hyrrem dhe kryevezirit Rustem. Ishte bërë mirahor në vitin 1527 në kohën e Ibrahim Pashë Pargaliut dhe aga i jeniçerëve më 1534. Më 1541 u emërua bejlerbe i Rumelisë, në vitin 1544, vezir i tretë në kabinetin ose divanin qeveritar osman dhe në prill 1552 vezir i dytë. Kryevezirati i tij nuk ishte aspak i lehtë, sepse oborri sulltanor në këtë periudhë ishte i dominuar nga njerëzit e Rustemit dhe Hyrremit, më së shumti serbë, duke filluar nga vëllai i Rustemit, Sinan Pasha që ishte kryeadmiral i flotës osmane.

Megjithatë ishte një nga politikanët dhe ushtarakët më të aftë të shekullit XVI. Më 1549 udhëhoqi me sukses fushatën në Gjeorgji, më 1552 atë në Transilvani dhe në vitet 1553-1555 fushatën kundër Persisë. Në fushatën e Persisë Ahmed Pasha u tregua shumë i aftë duke i vendosur iranianët në situatë aq të vështirë saqë u detyruan të kërkojnë disa herë armëpushim e marrëveshje. Ahmed Pasha me shumë takt diplomatik e ftoi Shahun që t’i japë zgjidhje situatës ose të lërë fushëbetejën e të hyjë në bisedime për zgjidhjen e konfliktit, pasi edhe pse osmanët ishin në pozita më të forta dera e paqes mbetej gjithnjë e hapur.

Shahu iranian Tahmasb pasi mblodhi këshillin e luftës vendosi të pranojë të hyjë në bisedime, sepse ishte bërë e qartë epërsia e forcave osmane nën komandën e Ahmet Pashës. Kështu marrëveshja e paqes ndërmjet osmanëve dhe sefevidëve të Persisë e vitit 1555 ishte vendimtare pasi i dha fund gjysëm shekulli rivaliteti mes tyre dhe në vija të përgjithshme stabilizoi kufijtë e ardhshëm mes dy shteteve që qëndruan të pandryshuar edhe në konfliktet e mëvonshme, duke shërbyer si pikë reference për të gjitha marrëveshjet e mëvonshem deri në shekullin XX.

Traktati i Paqes i nënshkruar në qytetin e Amasjas më 29 Maj 1555 vendosi paqen mes dy shteteve për 20 vite dhe kufirin mes tyre përgjithmonë. Taktika e ndjekur nga Ahmet Pasha ishin sulmet ne thellësi të territorit persian edhe pse këto fushata vuanin nga vështirësite e furnizimit dhe kundërsulmet nga ana iraniane. Kjo solli demoralizimin e iranianëve të cilët në Gusht 1554 dërguan një peng osman me një ofertë paqe kur ushtria e Ahmet Pashës ndodhej në qytetin e Bejazitit. Më pas Shahu Tahmasp dërgoi edhe një ambasador zyrtar që e mbërriti kampin osman në Erzurum. Oferta e paqes ishte në dobi edhe të osmanëve të cilët tashmë negocionin në pozita të favorshme dhe prandaj e pranuan duke vendosur një armëpushim deri në nënshkrimin përfundimtar të marrëveshjes së Paqes. Në Maj u nënshkrua marrëveshja sipas së cilës Irani njihte sovranitetin osman mbi perandorinë e vet, pra nuk kishte pretendime territoriale dhe u zotua se do të respektonte vijën kufitare dhe marrëdhëniet e fqinjësië së mirë. Një nga pikat më të rëndësishme të marrëveshjes ishte edhe tërheqja e iranianëve nga pozitat ekstreme shiite, duke pranuar që në ligjërimet fetare zyrtare t’i jepnin fund mallkimit të halifëve të drejtë, Ebu Bekër dhe Omer. Nga ana e tyre osmanët ranë dakord të garantonin sigurinë e udhëtimit të haxhilerëve iranianë në Mekë, Medinë, Qerbela dhe Nexhef.

Syrja Vlora thekson se “qe një vezir këmbëngulës, i drejtë e inteligjent”. Fitoi dy luftra: Kundër Persisë e kundër Austrisë në Temeshvar, sa që ma mbrapa u thirr “Hero i Temeshvarit”. N’ushtri vuni qetësi. Për shkak t’intrigavet të rivalëvet të tij u dënue me vdekje dhe u ekzekutua në vitin 962 h (1555).

(Fragment nga libri «Nga Ballkani ne Mesdhe», f. 260 e ne vazhdim…)

The post Shqiptari Ahmed Pasha, kryeministri që përcaktoi kufirin Osmano-Iranian për shekuj first appeared on In For.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *