Molliqaj kritikon Kurtin: Kryeministri, me krejt partinë e tij e kanë futë kokën në dhe si struci
Molliqaj kritikon Kurtin: Kryeministri, me krejt partinë e tij e kanë futë kokën në dhe si struci
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka kritikuar dakordimin e arritur në Ohër mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Molliqaj përmes një shënimi në Facebook ka thënë se vet heshtja e Kurtit gjatë ditës së diel tregon se ishte një disfatë.
“Aq e mirë na qenka marrëveshja saqë Kryeministri, me krejt partinë e tij, e kanë futë kokën në dhe si struci”.
“Si pas një stuhie apo pas një disfate. Sepse disfatë ishte. E Albin Kurti heshtet kështu si sot, pas secilës disfatë”.
I pari i PSD-së duke akuzuar Kurtin se nuk pranoi marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë.
“E refuzoi marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë në SHBA, por e pranoi në villën e Titos në Shën Naum. Dallimin bëjeni vetë”, ka deklaruar Molliqaj.
Ndryshe, të shtunën shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë u pajtuan për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja.
Duke iu adresuar gazetarëve, ai tha se kjo është një “arritje e rëndësishme”.
“Ajo që palët pranuan, është që Marrëveshja dhe zbatimi i saj përmes Aneksit të bëhen pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse drejt Bashkimit Evropian”, tha Borrell.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pajtimi i arritur në Ohër është “njohje e ndërsjellë de facto” e Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha se formimi i Asociacionit “është bërë detyrim me prioritet”.