Gratë e Krushës do t’i bashkohen marshit në mbështetje të krerëve të UÇK-së
Gratë e Krushës do t’i bashkohen marshit në mbështetje të krerëve të UÇK-së
Fahrije Hoti nga Organizata e grave të Krushës ka njoftuar se do të mbështesë marshin për drejtësi, marsh ky i organizuar nga platforma “Liria ka Emër”.
Ky marsh pritet të mbahet më 2 prill, në ora 14:00, në Prishtinë në për t’u solidarizuar me krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një ditë para nisjes së procesit gjyqësor në Hagë , në kuadër të Speciales.
“Ka 24 vjet që unë, së bashku me shumë gra të tjera të Krushës e të Kosovës, jo vetëm që kemi humbur më të dashurit tanë – por nuk dijmë asgjë për fatin e tyre.Djemtë, burrat, baballarët tanë, mungojnë dhe askush nga ish-sistemi gjenocidal serb nuk ka dhënë llogari. Janë mbi 1600 shqiptarë të Kosovës që figurojnë akoma të zhdukur si pasojë e atij sistemi, derisa, fatkeqësisht, të vetmit që po ballafaqohen me drejtësinë sot janë ata të cilët luftuan për çlirimin e vendit të tyre”,deklaroi Fahrije Hoti.
Ajo gjithashtu tha se bashkë me të gjitha gratë e Krushës, më 2 prill do t’i bashkohen marshit për drejtësi në mbështetje të luftës së drejtë të UÇK-së, dhe ish krerëve të saj.
“Prandaj, unë së bashku me të gjitha gratë e Krushës e të Kosovës, më 2 prill do t’i bashkohemi marshit për drejtësi në mbështetje të luftës së drejtë të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarëve të tyre në Hagë.E mirëpres dhe mbështes këtë iniciativë “Liria Ka Emër”. Të marshojmë së bashku për drejtësinë që e kërkojmë dhe kundër padrejtësive të reja”,përfundoi ajo./Lajmi.net/