Takimi Kurti-Borel-Lajçak, para tij ishte me Escobar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po vazhdon takimin me përfaqësuesin e lartë të BE-së të politikës së jashtme, Josep Borrell, si dhe emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Nga pamjet, shihet se kryeministri Kurti është i qeshur dhe në disponim të mirë, ashtu siç ishte edhe në takimin e 27 shkurtit në Bruksel.
Pas përfundimit të këtij takimi, Kurti do të takohet me Vuçiqin dhe ndërmjetësit evropianë, në takimin trepalësh të Ohrit.
Takimi trepalësh është raportuar se do të fillojë nga ora 12:45, pas përfundimit të takimit të Kurtit me evropianët.
Para Kurtit, presidenti serb veçse e ka përfunduar takimin e tij me dyshen evropiane, Borrell – Lajçak.
Krahas takimit të djeshëm në Prishtinë, Kurti sot takoi të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Në komunikatën e zyrës së Kurtit thuhet se në takim dyshja Kurti – Escobar folën për takimin e sotëm, rëndësinë dhe pritjet nga ky takim, përcjell arbresh.info.
Kryeministri Kurti e falënderoi Escobarin për mbështetjen e vazhdueshme të tij dhe të ShBA-së në procesin e dialogut, duke theksuar këtu përkushtimin dhe qasjen konstruktive të Qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë fundjavë dhe për gjatë gjithë procesit.