Përfundon takimi i përbashkët Kurti-Vuçiç në Ohër
Ka përfunduar takimi mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësimin e zyrtarëve evropianë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Paraprakisht, ata takuan ndaras shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Temë diskutimi ishte zbatimi i një propozimi të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, përmes një konference për media nga Ohri, tha se Borrell do të shprehet në fund të ditës për rezultatet e këtyre takimeve.
“Borrell do të shprehet në fund të ditës. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja gjithmonë bëhet në Bruksel, dhe atje asnjëherë nuk bëjmë ndonjë gjë në lidhje me mediat, vetëm një deklaratë nga Borrell, që është lehtësuesi kryesor, pra në fund të takimit. Pra, në fund të këtij takimi ai do të vijë këtu, nuk e dimë kohën, nuk e dimë se sa të zgjasin takimet, por do ju informoj përmes kolegëve të mi këtu dhe në Twitter”, tha Stano në këtë konferencë për mediat.