Para takimit në Ohër, Kongresistët Amerikan letër Blinkenit për çështjen e Luginës së Preshevës
Pak para takimit të Ohrit në procesin e dialogut Kosovë – Serbi, Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, Antoni Blinken ka pranuar një mesazh të fuqishëm nga Kongresi Amerikan për çështjen e Luginës së Preshevës!
Lajmi është bërë i ditur nga deputeti shqiptar dhe kreu i PVD-së, Shaip Kamberi.
“Bashkëkryesuesit e Grupit për Çështje Shqiptare në Kongresin e SHBA-ve, Kongresistët Himes dhe Torres, i dërgojnë letër zyrtare Sekretarit Blinken përmes së cilës kërkojnë që të drejtat e shqiptarëve në jugun e Serbisë, respektivisht në Luginën e Preshevës, të trajtohen në mënyrë reciproke me ato të minoritetit serb në Kosovë.
“Dialogu është dizajnuar për ta sjellur një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative për normalizimin e marrëdhënjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë njohjen reciproke,” shkruajnë Himes e Torres, duke shtuar se “duke pasur parasysh historinë e konfliktit në rajon, dështimi për të siguruar të drejta të barabarta dhe të qëndrueshme [për shqiptarët në Luginë], mund t’i vëj në pikëpyetje të gjitha aspektet e marrëveshjes.”
Kongresistët i shkruajnë Blinken se “plani i tanishëm 11-pikësh [Propozimi Evropian] nuk përmend askund të drejtat e minoritetit [shqiptar]…dhe ne insistojmë që kjo çështje të përfshihet në marrëveshjen finale.”
Përderisa po insistohet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, “ne kërkojmë dhe avokojmë tek ju për trajtim reciprok të minoritetit shqiptar në jug të Serbisë, apo për një asociacion të ngjashëm për ta”, theksohet në letrën kongresionale.
Kongresistët e pëfundojnë letrën duke thënë se “ne qëndrojmë fuqishëm në përkrahje të dialogut dhe ju inkurajojmë që t’i trajtoni në mënyrë të barabartë të drejtat e minoriteteve në të dyja vendet.”
“Jashtëzakonisht mirënjohës miqve tanë në Kongres për përkrahjen e parezervë ndaj kërkesave të drejta dhe legjitime të shqiptarëve etnik në Luginë të Preshevës”, ka shkruar Kamberi. (INA)