Qeveria ia kishte dhënë një paralajmërim Vlora Hysenit kur kjo ishte shkarkuar nga AKI
Qeveria ia kishte dhënë një paralajmërim Vlora Hysenit kur kjo ishte shkarkuar nga AKI
Vlora Hyseni do të jetë në krye të intelegjencës shqiptare, me rekomandim të kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Për Hysenin, nuk do të jetë hera e parë që provon një pozitë udhëheqëse në një institucion me ndjeshmëri të tillë, shkruan lajmi.net.
Ajo kishte qenë zv/drejtoreshë edhe në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, derisa ishte shkarkuar nga presidentja Osmani e kryeministri Kurti.
Në njoftimin e zyrës së Kurtit në atë kohë, thuhej se vendimi e obligon Hysenin që të dorëzojë të gjitha mjetet dhe materialet me të cilat ka qenë e ngarkuar.
Gjithashtu, ajo ishte paralajmëruar se obligohet që t’i ruaj të gjitha informacionet që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës së saj.
Në të kundërtën, siç paralajmëronte zyra e kryeministrit, ajo do të konsumonte një vepër penale që ka të bëj me zbulimin e informacionit të klasifikuar.
“Vendimi është marrë në mbështetje të nenit 6 (paragrafi 4) të Ligjit Nr.03/L-063 për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (GZ, Nr. 30, 15 qershor 2008). Vendimi për shkarkim e obligon znj. Vlora Hyseni të bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar. Gjithashtu, znj. Vlora Hyseni, sipas vendimit, obligohet që të ruaj të gjitha informacionet që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht sesi i është dhënë qasja në to apo si i ka pranuar ato, apo në çfarëdo forme tjetër ka arritur të posedoj informacione të klasifikuara. Zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit nr.06/074 Penal të Republikës së Kosovës, Ligjit Nr.03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar”, thuhej në njoftimin e Qeverisë.
Propozimin për emërimin e Hysenit në Shërbimin Intelegjent Shqiptar e ka dhënë kryeministri Edi Rama, të cilin ia ka dorëzuar presidentit, Ragip Begaj.
Rama në propozimin e tij është shprehur i bindur se përvoja e Hysenit do t’i kryejë punë shumë shërbimit shqiptar të Intelegjencës.
“Sot i paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e Znj.VLORA HYSENI drejtore e Shërbimit Informativ të Shtetit, me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar”, ka shkruar Rama në Facebook. /Lajmi.net/