Kurti: S’vendoset “qerja para kalit” – s’e përjashtoj asnjë marrëveshje, por janë 39 sosh të nënshkruara
Kurti: S’vendoset “qerja para kalit” – s’e përjashtoj asnjë marrëveshje, por janë 39 sosh të nënshkruara
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur sërish para takimit të së shtunës në Ohër.
Në një intervistë dhënë Alsat, shefi i ekzekutivit kosovar ka ripotencuar faktin se nuk e përjashton asnjë marrëveshje, përfshirë Asociacionin, porse janë edhe 39 të tjera të nënshkruara mes palëve, përcjell lajmi.net.
Tutje, ai shtoi se nuk mund të vendoset “qerja para kalit”, duke shtuar gjithashtu faktin se Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese.
“Asociacioni i komunave me shumicë serbe i ka dy marrëveshje nga 39 sosh gjithsejtë që janë nënshkruar në Bruksel, nga data 2 korrik 2011 deri më datën 25 gusht 2015…Nuk jam për, që nga 39 marrëveshje të vendoset njëra në krye ose e para. Sepse ato marrëveshje nuk kanë as hierarki vlerore dhe as hierarki logjike, ata kanë rend kronologjik.
Pra nuk i përjashtoj ato, asnjërën prej tyre, por konsideroj që njëkohësisht nuk është e drejtë që të imponohet një marrëveshje e vetme si më prioritarja ose më e rëndësishmja… Pra nuk e mohoj asociacionin që është një dakordim paraprak, mirëpo në anën tjetër nuk mund ta nxjerrim siç themi ne “qeren para kalit” dhe duhet ta kemi parasysh se marrëveshja e asociacionit nëse është e veçantë, është e veçantë në kuptimin që nuk e kaloj testin e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë”, shtoi Kurti.