Shqiptarët e Amerikës protestojnë kundër Asociacionit (VIDEO)
Më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të diskutojnë lidhur me ankeksin e marrëveshjes së Propozimit franko-gjerman.
Ende nuk dihet nëse do të ketë nënshkrim të udhërrëfyesit të kësaj marrëveshje mes Kurtit dhe Vuçiqit.
E kur ka mbetur edhe dy ditë deri në takimin e rëndësishëm, komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë protestuar në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës, kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
E masës së tubuar në Manhattan të New Yorkut, iu drejtua Mark Gjonaj, i cili është anëtar i këshillit.
Gjonaj tha se procesi i pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë mund të nis kur për të vihet drejtësia për secilin nga viktimat e krimit serb.
“Procesi i pajtimit, mund të nis atëherë kur autorët e krimit të dhunimit të mbi 20 mijë grave dhe burrave në Kosovë, vrasjes së mbi 14 mijë personave dhe të vëllezërve Bytyqi, të vihen para drejtësisë. Vetëm atëherë mund të bëhet pajtimi”, tha Gjonaj
“Duhet të sigurohemi që populli i Kosovës duhet të ketë një të ardhme të ndritur. Stabiliteti, mbrojtja e sovranitetit dhe pavarësia e shtetit të Kosovës, duhet të jetë në rend të parë”, shtoi ai.
Ndërkaq, sipas komandantit të Brigadës “Atlantiku” Gani Shehu, tha se presioni duhet t’i shtohet Serbisë dhe jo Kosovës.
“Presioni të bëhet Serbisë e jo Kosovës, ngase Kosova ka bërë kompromise të dhimbshme dhe të vazhdueshme”, tha Shehu.
Derisa ish-gazetari Gjekë Gjonlekaj, tha se duhet të kërkohet sqarime nga Christopher Hill dhe Gabriel Escobar, lidhur me Planin franko-gjerman.
“Duhet të protestojmë para Shtëpisë së Bardhë. Presidenti Biden, ka premtuar se do të ketë njohje reciproke, por kjo nuk po ndodh në mandatin e tij. Duhet të kërkojmë nga senati dhe kongresi që të kërkojë sqarime nga Christopher Hill dhe Gabriel Escobar, se çka janë këto marrëveshje”, tha Gjonlekaj/ Klankosova.tv