TË FUNDIT

“Kurti i vetmuar do të luftojë kundër të gjithëve në Ohër”, zbardhet çka do të ndodhë në takimin me Vuçiqin

Opinionisti dhe njohësi i zhvillimeve politike Sulejman Mehazi, ka folur para takimit mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, që do të mbahet të shtunën në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Mehazi ka thënë se para takimit Kurti-Vuçiq, të gjithë po rrinë të heshtur, për të gjetur fjalët më kritike për kryeministrin e Kosovës.

Sipas tij, në këtë takim mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, do të diskutohet për asociacionin serb në Kosovë.

“Të shtunën Vuçiqi vjen në RMV të takohet me Kurtin për asociacionet serbe në Kosovë. Para takimit të gjithë rrimë të heshtur me sy, vesh e gojë drejtë Ohrit, ama jo për t’i dhënë vullnet e përkrahje Kurtit para takimit, por presim se çfarë do të ndodhë pas takimit me Vuçiqin, për t’u përgatitur të gjejmë fjalët më kritike, më ofenduese për kryeministrin e Kosovës Kurtin, për t’i thënë edhe tradhtar”, është shprehur analisti për gazetën “Bota sot”.

Ai potencon që Kurti do të luftojë i vetëm kundër të gjithë “koalicionuesve të Serbisë”.

“Kurti në Ohër do të jetë i rrethuar me koalicionuesit e Serbisë: Lajçaku i Sllovakisë që nuk e njeh Kosovën, Borrellin e Spanjës që nuk e njeh Kosovën, Escobarin që është mikluesi i Vuçiqit, dhe, vendi ku do të takohet Kurti me Vuçiqin, Ohri së bashku me kryeministrin e këtij vendi Kovaçevskin, janë në koalicion me Serbinë e “Ballkanit të Hapur” të Vuçiqit dhe Ramës.

Kurti i vetmuar politikisht do të luftojë kundër të gjithëve në Ohër”, ka theksuar Sulejman Mehazi.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq më 18 mars pritet të takohen në Ohër për të diskutuar për planin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilën dy shtetet kanë arritur pajtueshmëri më 27 shkurt në Bruksel.

Kurti, tha të hënën se modelet e prezantuara për Asociacionin po trajtohen nga këshilltarët e tij e disa prej ministrave.

Kurti shtoi se ato janë modele, nga të cilat mund të merren elemente në mënyrë që jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe të drejtat e pakicave kombëtare të jenë në nivelin e duhur./Botasot

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *