Bruto Produkti Vendor shënoi rritje në tremujorin e katërt të 2022-ës
Bruto Produkti Vendor shënoi rritje në tremujorin e katërt të 2022-ës
Agjencia e Statistikave të Kosovës publikoi të dhënat e Bruto Produktit Vendor për tremujorin e katërt (TM4) të vitit 2022, me ç’rast, bëri të ditur se BPV-ja shënoi rritje reale për 3.55%, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak.
Sipas ASK-së, ndër aktivitetet që shënuan rritje ishin: industria përpunuese, aktivitetet financiare dhe të sigurimit, aktivitetet shkencore, etj. Ndërsa, rënie shënoi ndërtimtaria.
“Aktivitetet ekonomike që kishin rritje në këtë tremujor ishin: Industria përpunuese (12.52%); Aktivitetet financiare dhe të sigurimit (11.53%); Aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike; aktivitetet e shërbimeve administrative dhe mbështetëse (8.71%); Industria nxjerrëse dhe përpunuese; energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër; furnizimi me ujë; aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave dhe rehabilitimi (7.93%); Tregtia me shumicë dhe me pakicë; riparimi i automjeteve dhe motoçikletave; transporti dhe magazinimi; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor (6.16%); Informacioni dhe komunikimi (5.94%); Artet, argëtimi dhe çlodhja, aktivitetet e prodhimit të mallrave të familjeve për përdorim të vetë dhe shërbime të tjera (5.41%); Bujqësia, pyjet dhe peshkimi (3.35%); Aktivitetet e pasurive të paluajtshme (1.76%); Administrata publike, sigurimi social, arsimi dhe shëndetësia (0.53%). Ndërsa, aktiviteti ekonomik, që shënoi rënie në këtë tremujor ishte: Ndërtimtaria (-11.81%).”, u bë e ditur në komunikatë.
Ndërkaq, komponentët e BPV-së sipas metodës së shpenzimeve, që kishin rritje ishin: Shpenzimet e konsumit final (1.00%); dhe Eksporti i mallrave dhe shërbimeve (9.54%).
Ndërsa, rënie kishte: Importi i mallrave dhe shërbimeve (-4.96%); Formimi i bruto kapitalit (-8.78%); dhe Shpenzimet e Qeverisë (-0.48%).