Sanksionet e ShBA-së në Ballkan, e pësojnë edhe tre zyrtarë të tjerë
Sanksionet e ShBA-së në Ballkan, e pësojnë edhe tre zyrtarë të tjerë
Tre zyrtarë të tjerë ballkanas e kanë pësuar nga Thesari Amerikan i Shtetit.
Ky departament ka vendosur t’i dënojë tre zyrtarë nga Bosnja e Hercegovina, për shkak se shihen si kërcënim ndaj sundimit të ligjit, përcjell lajmi.net.
Sipas Zërit të Amerikës një ndër personat e sanksionuar është Osman Mehmedagiç, ish-drejtor i përgjithshëm i Agjencinë së Sigurisë dhe Zbulimit të Bosnjës e Hercegovinës, i cili akuzohet se keqpërdori një kompani telekomunikacioni në pronësi të qeverisë për të mirën e Partisë për Veprim Demokratik.
Gjithashtu dyshohet se Osman Mehmedagiç ka bashkëpunuar me rrjete kriminale për përfitime personale dhe partiake.
Dragan Stankoviç, drejtor i Administratës së Republikës Serbe për çështje pronësore juridike është personi i dytë i sanksionuar, i cili dyshohet se është përpjekur për të uzurpuar pronën e Bosnjës dhe Hercegovinës në territorin e Republikës Serbe në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe një vendimi të vitit 2005 të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë.
Personi i tretë i sanksionuar është Edin Gaçanin, një trafikantë famëkeq narkotikësh. Përveç përpjekjeve për trafikimin e narkotikëve nëpër vende të ndryshme, karteli i Edin Gaçaninit është përfshirë në pastrim parash dhe është i lidhur me Grupin e Krimit të Organizuar Kinahan, i cili më parë ishte sanksionuar nga Thesari për rolin e tij si një organizatë e rëndësishme kriminale ndërkombëtare.