Opozita për planin evropian: Kurti të jap më shumë detaje
Opozita për planin evropian: Kurti të jap më shumë detaje
Dy partitë opozitare vazhdojnë të kritikojnë kryeministrin e vendit, Albin Kurti për qasjen që ka ndjekur në raport me dialogun me Serbinë.
Ndonëse SHBA ka ngritur shqetësime për qëndrimet e opozitës ndaj planit evropian, disa nga partitë politike vazhdojnë ta kundërshtojnë disa pika të atij plani të pranuar të paktën gojarisht nga kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Dy partitë më të mëdha opozitare kërkojnë më shumë detaje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti lidhur me pikat që përmban plani evropian.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa thotë se kryeministri Kurti, duhet të jetë më transparent lidhur me këtë çështje, derisa ka adresuar edhe një mori pyetjesh ndaj tij.
I pyetur për qëndrimet e SHBA-së kundrejt opozitës, Beqa tha se planin e sheh si pozitiv, porse sipas tij, kryeministri Kurti duhet të sqarohet më shumë.
“Ne e shohim pozitiv planin, megjithatë kryeministri Kurti ka ikur nga sqarimi, duhet të sqarojë qytetarëve, të jetë transparent për planin, edhe deputetëve. Pra, të jetë i hapur dhe mos të ikë kjo temë, sepse është kryesorja. Nuk mund të thuash sot në Kosovë që nuk është prioritet dialogu, kur të gjitha çështjet lidhen me njohje reciproke, pa pas një statut të qëndrueshëm Kosova nuk mund të krijojë as zhvillim ekonomik… Kryeministri Kurti të jetë i hapur, transparent, të tregojë çfarë ka pranuar, a duhet të ndryshohet Kushtetuta, çfarë nëse ka qenë çështje mere ose leje, çfarë ishim dëmtuar nëse e kishim lënë një çështje të tillë dhe çfarë po përfiton Kosova me pranimin e planit franko gjerman, si do të implementohet plani”, thotë Beqa.
Edhe deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Rrezarta Krasniqi tha se i gjithë procesi lidhur me dialogun nuk ka qenë aspak transparent nga kryeministri Kurti.
Krasniqi thotë se si parti vazhdojnë të jenë kundër këtij plani, sipas saj, është pritur që të ketë një njohje përfundimtare.
“Ne si opozitë kemi prit që ky plan të ketë një njohje përfundimtare, gjithashtu kemi të paqarta se nuk është ardhë të prezantohet në Kuvendin e Kosovës, sepse i gjithë procesi lidhur me dialogun nuk ka pas aspak transparencë dhe të njëjtit njerëz kanë kërkuar që kur kemi qenë ne në Qeveri me pas transparencë. Për ne është shumë shqetësuese neni 7 kur thuhet të ketë një vetmenaxhim të komunave serbe dhe gjithashtu thuhet të krijohet një kanal, i cili do të jetë direkt me Qeverinë e Kosovës. Për ne këto janë shumë shqetësuese dhe kryeministri Kurti duhet të vijë në Kuvend dhe të na shpjegojë nenin 7 se çfarë do të thotë vetmenaxhim dhe çfarë do të thotë të krijohet një kanal që të bashkëpunoj ose raportoj direkt Qeverisë së Kosovës… Jemi ende kundër për arsyeje se kemi prit që të ketë një njohje përfundimtare dhe jo një njohje bazë”, thotë Krasniqi.
Ajo shtoi se Kurti dialogun me Serbinë e kishte si pikë të shtatë dhe tani atë e ka vendosur si të parën.
“Gjithashtu lidhur me këtë plan janë shkelur të gjitha parimet për të cilat kryeministri Kurti ka ardhë në proces. Është shqetësuese se kryeministri e ka barazuar të pagjeturit me agresorin. Pjesën e dialogut e ka pas si pikë të shtatë të planit të qeverisjes së tij, ndërsa tani e ka si pikë të parë, ku pothuajse i ka harruar të gjitha shqetësimet dhe dikasteret të tjera që të kemi stagnim, si në shëndetësi, politikë të jashtme, ekonomi e shumë të tjera”, thotë mes tjerash Krasniqi.
Kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq, me ndermejtësimin e BE-së, do të takohen më 18 mars në Ohër. Para takimit e emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka qëndruar në Kosovë, ku është takuar me përfaqësues të institucioneve dhe liderët e subjekteve politike opozitare. Këta të fundit, i ka informuar për planin e BE-së për dialogun.
Ai ka qëndruar në vizitë dy ditore edhe në Beograd, ku ka thënë se nuk ka marrëveshja pa themelimin e Asociacionit. Ai theksoi se propozimi franko-gjerman i mishëruar tashmë në një marrëveshje për të cilën Kosova dhe Serbia u pajtuan të paktën gojarisht, flet për normalizim, jo për ndonjë lloj kapitullimi.
Ndërsa, sot në Beograd qëndron edhe emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Kujtojmë se më 27 shkurt, Kurti dhe Vuçiq kanë pranuar gojarisht propozimin evropian, që Bashkimi Evropian e ka quajtur një marrëveshje bazë.