TË FUNDIT

Kurti takoi deputetët evropianë, diskutuan për mundësitë dhe pritjet nga takimi në Ohër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti qëndrimin dyditor në Strasburg të Francës e filloi me takimin me eurodeputetë të Grupit të Partisë Popullore Evropiane (EPP) në Parlamentin Evropian, Lukas Mandl nga Austria, Michael Gahler, Rainer Wieland dhe Niklas Herbst nga Gjermania, Karlo Ressler nga Kroacia, Franc Bogovic nga Sllovenia, Vladimir Bilcik nga Sllovakia. EPP përbën grupin më të madh politik në Parlamentin Evropian.

Me ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, kryeministri Kurti i njoftoi deputetët evropianë për zhvillimet e fundit në vend, arritjet kryesore të qeverisë, e cila javën tjetër mbushë plot dy vjet.

Po ashtu, siç u bë e ditur në komunikatë, Kurti dhe Bajrami i njoftuan deputetët evropianë edhe për sukseset në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit dhe për përmirësimet në indikatorët demokratikë dhe ekonomikë, të evidentuara edhe në raportet ndërkombëtare.

Së fundmi, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova është renditur e para në Ballkanin Perëndimor me rritjen më të madhe të të hyrave tatimore mes vitin 2020-2022, dëshmi e formalizimit të ekonomisë, mbledhjes së borxheve dhe e gatishmërisë së qytetarëve dhe bizneseve që të paguajnë tatime. Teksa është ngritur për 20 vende në dy vitet e fundit në indeksin e perceptimit të korrupsionit sipas Transparency International.

Në takim, gjithashtu u diskutua edhe për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, në dhjetor të vitit të kaluar dhe për aplikimin në Këshillin e Evropës, në maj të vitit të kaluar, dy organizata këto me të cilat shteti dhe populli i Kosovës ndajnë synime, vlera dhe bindje të përbashkëta.

Kurti, siç u potencua, theksoi rëndësinë e përkrahjes së Parlamentit Evropian në trajtimin sa më të shpejtë të aplikimeve të Kosovës dhe mbështetjes përgjatë gjithë rrugëtimit integrues.

Po ashtu, në takim u diskutua edhe për takimin e 18 marsit në Ohër, mundësitë që paraqet dhe pritjet nga ai takim.

“Eurodeputetët dhanë vlerësimin e tyre pozitiv dhe shprehen mbështetjen e plotë ndaj reformave të qeverisë, përparimit demokratik, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.”, u bë e ditur në komunikatë.

Kryeministri Albin Kurti po qëndron në Strasburg për të marrë pjesë në takimin e 10-të të Komitetit Parlamentar për marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *