TË FUNDIT

Kurti: Plani i BE-së duhet të përmbajë detaje konkrete dhe të jetë gjithëpërfshirës

Qëndrimin në Strasburg, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e vijoi me takimin me Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, eurodeputetin David McAllister.

Gjatë takimit, Kryeministri Kurti foli për përparimin demokratik të vendit, të njohur tashmë edhe në indekset ndërkombëtare në sundimin e ligjit, luftimin e korrupsioni, lirinë e medias dhe të drejtave politike dhe lirive civile. E krahas, indikatorëve demokratikë, në dy vitet e fundit, u shënua edhe rritje ekonomike, rritje e të hyrave buxhetore pa ndryshuar politikat fiskale, eksporteve, dhe te investimet e huaja direkte. Duke dhënë kështu shembullin dhe ofruar dëshminë që demokracia cilësore dhe zhvillimi ekonomik mund të shkojnë krah për krah.

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përveçse orientim e synim i hershëm, erdhi edhe si rezultat i progresit në vend, që u njoh edhe nga Raporti i BE-së për vendin. Në takim, u diskutua pikërisht edhe për aplikimin e Kosovës dhe për rrugën përpara, dhe për finalizimin e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës.

Kryeministri Kurti dhe eurodeputeti McAllister diskutuan edhe për procesin e dialogut të lehtësuar nga BE, për propozimin Evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të dakorduar në Bruksel me 27 shkurt, dhe për takimin që pritet të mbahet këtë fundjavë në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Sa i përket planit të zbatimit të Marrëveshje Bazë sipas propozimin Evropian, kryeministri tha se ai duhet të përmbajë detaje konkrete dhe të jetë gjithëpërfshirës, të ofrojë efektivitet në zbatim dhe të jetë i sekuencuar në mënyrë të balancuar.

Në këtë takim, kryeministri Kurti shoqërohej nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti dhe deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jeta Statovci, anëtare e Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *