Gjykata merr vendim për 6 nga 15 të akuzuarit në rastin “Subvencionet II”
Gjykata merr vendim për 6 nga 15 të akuzuarit në rastin “Subvencionet II”
Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj gjashtë të akuzuarve Blerim Mulliqi, Bekim Bruçi, Dukagjin Deda, Sadri Berisha, Pashk Krasniqi dhe Ramadan Zeqiraj, të akuzuar për veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Ushtrim ndikimi”, “Dhënie ryshfeti” dhe “Mashtrim me subvencione”, në rastin “Subvencionet II”, duke i dënuar (së bashku) me 4 vite burgim dhe 10 mijë euro gjobë.
Aktgjykimi ndaj gjashtë të akuzuarve u shpall të mërkurën, nga gjykatësja Violeta Namani, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndërsa, gjykimi në këtë rast do të vazhdojë për të akuzuarit Luan Statovci, Sedat Shkodra, Berat Nika, Gëzim Morina, Rasim Zekaj, Afrim Mehmetaj, Donard Draga, Hazir Metaj dhe Hysni Morina.
Sipas aktgjykimit, të akuzuarin Blerim Mulliqi, për veprën penale “Marrje ryshfeti”, gjykata e dënon me 1 vit e 6 muaj burgim, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Po ashtu, i njëjti obligohet të kompensojë dëmin e shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës në shumën 8 mijë e 400 euro. Ndaj të akuzuarit Mulliqi, u shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të profesionit në administratë publike dhe në funksionet e shërbimeve publike.
Ndërsa, i akuzuari Bekim Bruçi për veprën penale “Ushtrim ndikimi”, u dënua me 6 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë. Në dënimin me burgim, do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Sipas aktgjykimit, të njëjtit, dënimi me burgim, me pëlqimin e tij mund t’i zëvendësohet me gjobë në shumën 3 mijë e 600 euro.
Kurse, i akuzuari Dukagjin Deda për veprën penale “Dhënie ryshfeti” u dënua me 1 mijë euro gjobë dhe 6 muaj burgim, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak.
Edhe të akuzuarit Deda, me pëlqimin e tij, dënimi me burgim mund t’i zëvendësohet me gjobë në shumën 4 mijë euro.
Kurse, Ramdan Zeqiraj për veprat penale “Dhënie ryshfeti” u dënua me 1 mijë euro gjobë dhe 6 muaj burgim, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak.
Të akuzuarit Zeqiraj, dënimi me burgim prej 6 muajsh, mund t’i zëvendësohet në dënim me gjobë në shumën prej 4 mijë euro.
Ndërsa, për “Mashtrim me subvencione” u dënua me 5 mijë euro gjobë, i cili dënim duhet të paguhet në afat prej 15 ditëve jo më gjatë se 6 muaj pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë.
Nëse i akuzuari Zeqiraj nuk dëshiron të paguajë dënimin me gjobë ose nuk mundet, i njëjti i zëvendësohet me burgim.
I akuzuari Zeqiraj obligohet të bëjë kompensimin e dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës, në vlerë prej 12 mijë euro.
Kurse, i akuzuari Sadri Berisha për veprën penale “Dhënie ryshfeti” u dënua me 1 mijë euro gjobë dhe 6 muaj burgim. Në dënimin me burgim, të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak.
Sipas aktgjykimit, dënimi me burgim, të njëjtit me pëlqimin e tij mund t’i zëvendësohet në gjobë prej 4 mijë euro.
I akuzuari Pashk Krasniqi, për veprën penale “Dhënie ryshfeti” u dënua me 1 mijë euro gjobë dhe 6 muaj burgim.
Të akuzuarit Krasniqi, dënimi me burg me pëlqimin e tij mund t’i zëvendësohet me gjobë në shumën 4 mijë euro.
Obligohet secili i akuzuar veç e veç t’i paguajë shpenzimet e procedurës penale, në emër të paushallit gjyqësor shumën nga 100 euro dhe nga 100 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.
Përfaqësuesi i pales së dëmtuar nga Avokatura Shtetërore, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, udhëzohet në kontest civil.
Kurse, palët e pakënaqura sa i përket të akuzuarve që kanë pranuar fajësinë, kanë të drejtë ankese mbi lartësinë e dënimit. Kuse, sa i përket të akuzuarve që kanë arritur marrëveshje për pranim fajësie, kanë hequr dorë nga e drejta e ankesës.
Ndryshe, në seancën e mbajtur më 13 mars 2023, të akuzuarit Blerim Mulliqi dhe Bekim Bruçi, deklaruan se qëndrojnë prapa marrëveshjes rreth pranimit të fajësisë, të arritur në mes tyre dhe Prokurorisë Speciale. Ndërsa, akuzuarit Dukagjin Deda, Sadri Berisha dhe Pashk Krasniqi, e pranuan fajësinë për veprën penale “Dhënie ryshfeti”, kurse i akuzuari Ramadan Zeqiraj për veprat penale “Dhënie ryshfeti” dhe “Mashtrim me subvencione”.
Po në atë seancë, të akuzuarit Gëzim Morina, Afrim Mehmetaj, Donard Draga dhe Hazir Metaj, kanë pranuar fajësinë për veprën penale “Dhënie ryshfeti”, por jo edhe për veprën penale “Mashtrim me subvencione”. Ndërkaq, të akuzuarit Luan Statovci, Sadat Shkodra, Berat Nika, Rasim Zekaj dhe Hysni Morina, nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat penale që u vihen në barrë.
Ndryshe, sipas akakuzës së 22 dhjetorit 2022, 15 të akuzuarit në rastin “Subvencionet II”, Luan Statovci, Blerim Mulliqi, Bekim Bruçi, Sedat Shkodra, Berat Nika, Gëzim Morina, Rasim Zekaj, Afrim Mehmetaj, Donard Draga, Dukagjin Deda, Ramdan Zeqiraj, Hazir Metaj, Sadri Berisha, Hysni Morina, dhe Pashk Krasniqi, ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti, mashtrim me subvencione dhe ushtrim ndikimi.