Takimi Kurti-Vuçiq, marrëveshje apo mosmarrëveshje në Ohër – flasin analistë e politikanë
Takimi Kurti-Vuçiq, marrëveshje apo mosmarrëveshje në Ohër – flasin analistë e politikanë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do të takohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Fokusi i bisedimeve pritet të jetë rruga drejt zbatimit të së ashtuquajturës, Marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilën dy shtetet kanë arritur pajtueshmëri më 27 shkurt në Bruksel, sipas kryediplomatit evropian, Josep Borell.
Se a do të ketë marrëveshje në Ohër apo mosmarrëveshjet do të vazhdojnë, në “Debat Plus” kanë komentuar analistë e politikanë.
Profesori Universitar, Nezir Kraki ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk i ka thënë po themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Nuk i ka thënë dhe nuk pres që do t’i thotë po Asociacionit”, ka thënë shkurt Kraki.
Ai ka theksuar se themelimi i “Zajdnicës” dhunon Kushtetutën e Kosovës.
“Asociacion që nuk i jep llogari ku gjendet pakica nuk ekziston diku në Evropë, nuk eksiton as si koncept e lërë më në praktikë. ‘Zajdenica’ nuk ka gjasa me kaluar, pasi do të ishte dhunim brutal e flagrant i Kushtetutës të Kosovës dhe të gjitha rregullave dhe lëshimeve që Kosova i ka bërë”, ka deklaruar Kraki.
Analisti Ylli Hoxha thotë se vet Bashkimi Evropian është fajtor që procesi i dialogut Kosovë-Serbi dhe vet zbatimi i Asociacionit ka ngecur.
“Në vitin 2015 Bashkimi Evropian bllokoi procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimorë dhe ka ra i gjithë procesi. Arsyeja e vërtet pse nuk na kanë kërkuar zbatimin e Asociacionit është ky”, deklaroi Hoxha.
Ai beson se në Ohër do të ketë marrëveshje me 17 mars.
“Marrëveshja do të jetë e njëjtë si e vitit 2013 me disa elemente shtesë. BE-ja do të vendos kushte për Kosovën e Serbisë nëse ato dëshirojnë anëtarësimin në BE duhet t’i kryejnë detyrat karshi BE-së. Serioziteti përsëri nuk do të varet nga ne por nga vendosmëria e Amerikës dhe BE-së”, deklaroi tutje Ylli Hoxha.
Analisti Dibran Hoxha ka thënë se plani bazë i parimeve është pranuar dhe i njëjti është konfirmuar nga të dyja palët.
“Kanë konfirmuar se nuk kanë pajtueshmëri mbi aneksin, që i bie se mbi bazën e planit kanë pranim por nuk kanë pajtim se si do të shtrihet në kohë”, ka thënë Dibran Hoxha.
Sipas Hoxhës, pyetja që duhet të shtrohet është se si ne i shmangemi një detyrimi të nënshkruar më herët, i cili është Asociacioni.
“Neve nuk na intereson se si shtrihet në kohë dhe kur ndodh, por na intereson nëse ka mundësi të shmanget dhe si do të ndërrojë në përmbajtje ky koncept”, ka thënë Dibran Hoxha.
Zyrtari i PSD-së Zgjim Hyseni thotë se është i vetëdijshëm se ka presione nga bashkësia ndërkombëtare, por sipas tij me demarkacionin ka qenë presion shumë më i madh.
“Nëse për Asociacionin ka pasur presione nga fuqitë e mëdha për demarkacionin ka qenë në Kosovë edhe vet Bideni. Demarkacioni ka kaluar vetëm atëherë kur rezistenca ka mbaruar”.
Hyseni thotë se tashmë Asociacioni është pranuar dhe sipas tij dëshmi e kësaj është pranimi i pikës 10 të propozimit evropian nga Kurti e Vuçiq.
Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.
Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale.