TË FUNDIT

Replikat në distancë Kurti -Lajçak, sinjale se Ohri mund të dështojë?

Kryeministri Albin Kurti pak ditë para takimit të Ohrit ka replikuar në në distancë me Emisarin e BE’së Miroslav Lajçak, i cili të martën në Beograd deklaroi se s’ka marrëveshje pa Asociacion.

Kur iu përgjigj kësaj deklarate, Kurti tha se Serbia është ajo që insiston për Asociacionin duke ia përmendur edhe emrin e moçëm “Zajednicë”, ndërsa paralajmëroi negociata edhe pas Ohrit, përcjell GazetaExpress.

Por, ky nuk është dallimi i vetëm mes tyre. Kryeministri e rikujtoi se ka qenë i gatshëm ta nënshkruajë propozimin europian më 27 shkurt, por Lajçak gjatë vizitës në Kosovë e bëri të qartë se “dokumenti është i pandashëm dhe s’mund të nënshkruhet pa planin e zbatimit”.

Pas pranimit të propozimit europian në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, Perëndimi ka tentuar ta ruajë momentumin e krijuar në Selinë e BE’së, duke i nxitur pothuaj për çdo ditë palët me anë të deklaratave të ndryshme, që më 18 mars në Ohër të pajtohen edhe për Planin e Zbatimit.

Kanë reaguar përfaqësues të shumë shteteve, ambasadorë në Kosovë e Serbi, ish – diplomatë dhe figura të ndryshme që janë marrë me Ballkanin dhe problemin Kosovë -Serbi duke e përshëndetur progresin në Bruksel.

Siç ishin dakorduar në takimet me Borell, Kurti e Vuçiq e kanë pritur emisarin Lajçak, i cili ka pasur për detyrë t’i mbledhë pikëpamjet e palëve dhe vizionin e tyre për implementimin e marrëveshjes.

Lajçak këtë e ka bërë javën që shkoi në Prishtinë, ku deklaroi se e ka të qartë se çfarë është duke kërkuar Kurti, ndërkohë që edhe të martën ndodhet në Beograd, për ta dëgjuar palën serbe.

Ndërsa takimi i së shtunës në Ohër po afrohet, duket se asgjë s’ka të sigurtë se atje mund të arrihet ndonjë marrëveshje për planin e zbatimit të marrëveshjes, e aq më pak ndonjë nënshkrim. Emisari Miroslav Lajcak të martën në Beograd e shtoi presionin mbi Kosovën duke thënë se pa Asociacion nuk ka marrëveshje.

Por, ndaj kësaj deklarate pati një përgjigje kryeministri Kurti. “Unë e kuptoj që Serbia shtynë shumë për çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe, apo Zajednicën siç e kemi quajtur ndryshe” tha ai. Por, paralajmëroi se “afati i 18 marsit”, nuk mund të merret si përfundimtar. “Plani i zbatimit duhet të negociohet në Ohër, e mbase jo vetëm në Ohër” tha Kurti.

Ai shtoi se kishte dashur të nënshkruajë në Bruksel më 27 shkurt duke e akuzuar Serbinë se nuk ka qenë e gatshme. “Nëse ka pasur mossukses, asnjëherë nuk ka qenë për fajin tim, sepse unë kam qenë i përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ”, tha ai.

Por, BE tashmë disa herë ka dhënë përgjigje rreth insistimit të tij për të nënshkruar. Lajcak kishte theksuar se akti i nënshkrimit në Bruksel do të ishte i parakohshëm pasi ende s’ka marrëveshje për implementimin e propozimit europian.

“Reagimi ynë ishte që kjo do të ishte e parakohshme. Kjo marrëveshje nuk është gjë e vogël, por pa pjesën e implementimit është më shumë një deklaratë politike se sa një marrëveshje ligjërisht obligative kështu që thamë le të presim me nënshkrim derisa të kemi një kuptim të plote dhe marrëveshje të plotë se si do ta implementojmë”, kishte thënë Lajçak në Atlantic Council.

Këtë pozicion e ka bërë më të qartë edhe gjatë qëndrimit në Kosovë duke folur për mediat lokale serbe, ku ka thënë se dokumenti është i pandashëm.

“Kjo marrëveshje përbëhet nga dy pjesë, por ato përbëjnë një dokument të pandashëm. Pjesa e parë është politike dhe ne e kemi thënë se teksti, besojmë se është propozimi më i mirë dhe presim që të dy liderët të thonë po për atë që ndodhi më datën 27. Pjesa e dytë është teknike, me fjalë të tjera, si të zbatohet. Këtu thamë se jemi të gatshëm dhe të hapur për të dëgjuar komentet, sugjerimet e tyre sepse padyshim që është një dokument shumë i rëndësishëm dhe ne e respektojmë plotësisht që palët duan të kenë garanci se nëse e realizojnë do të marrin edhe atë që u është premtuar. Kjo është arsyeja pse ky diskutim është pjesëmarrës. Është e rëndësishme për ne që të marrim kontributin e tyre. Dhe po, kam marrë kontribute nga kryeministri Kurti, idetë e tij se si mund të zbatohet dokumenti” ka thënë Lajçak./GazetaExpress

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *