TË FUNDIT

Krasniqi s’po pajtohet me planin evropian, akuzon Kurtin se i solli marrëveshje të dëmshme Kosovës

Krasniqi s’po pajtohet me planin evropian, akuzon Kurtin se i solli marrëveshje të dëmshme Kosovës

Kryetari i PDK-së, Memli Krasnqi, nuk po pajtohet shumë me propozimin evropian për dialogun.

Rezervat e tij për këtë plan, ai ia ka shprehur sot edhe shefes së UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Ziadeh, shkruan lajmi.net.

“Shefes së UNMIK-ut i shpreha qëndrimin e PDK-së në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi dhe rezervat që kemi në raport me këtë marrëveshje, e cila, sipas nesh, është e pamjaftueshme dhe mundësi e humbur për një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e ndërkombëtarisht të obligueshme”, shkroi Krasniqi.

Ai tha se PDK i ka thënë mbështetje Kurtit për dialogun, mirëpo që ai është treguar neglizhent dhe mospërfillës ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

Sipas Krasniqit, kjo marrëveshje nuk realizon kërkesat, nevojat dhe qëllimet shtetërore të Kosovës.

Postimi i plotë i Krasniqit:

Në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, kam pritur sot shefen e UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Ziadeh, me të cilën diskutuam për zhvillimet e fundit në Kosovë.

Shefes së UNMIK-ut i shpreha qëndrimin e PDK-së në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi dhe rezervat që kemi në raport me këtë marrëveshje, e cila, sipas nesh, është e pamjaftueshme dhe mundësi e humbur për një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e ndërkombëtarisht të obligueshme.

Ne i kemi dhënë mbështetje të parezervë Kryeministrit Kurti në procesin e dialogut dhe në raport me Serbinë. Përkundër kësaj, neglizhenca e tij, mosdakordimi me partnerët ndërkombëtarë kur ka qenë e nevojshme, kokëfortësia e tij për të dëgjuar propozimet e opozitës, përfshirë pesë pikat tona të deklaruara edhe në Washington, Bruksel e Kuvend të Kosovës – janë arsyet kryesore që sot kemi një marrëveshje e cila nuk i realizon kërkesat, nevojat dhe qëllimet shtetërore të Kosovës.

Sot, për fat të keq, kemi përpara një transformim të marrëveshjes së paralajmëruar dhe kërkuar nga ne dhe partnerët ndërkombëtarë për vite me radhë, nga një marrëveshje finale me njohjen e ndërsjellë në qendër, në marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër. /Lajmi.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *