Ahmeti: Me deklaratat e tij, Kurti po mendon se po ia luan lojën Amerikës e Evropës
Ahmeti: Me deklaratat e tij, Kurti po mendon se po ia luan lojën Amerikës e Evropës
Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, është shprehur se kryeministri i vendit, Albin Kurti, me deklaratat e tij, po mendon se është duke ia luajtur lojën Amerikës e Evropës.
Ahmeti tha se është tepër mirë që të flitet me popullin në mënyrë të sinqertë, pasi sipas tij, diskutimi “po Zajednicës” e “jo Zajdenicës”, është kot.
“Mendoj se kjo marrëveshje ka hapësirë të madhe për kritikë, por varet se si do ta lexosh. Nëse do t’i lexosh vetëm gjërat e këqija, do t’i shohësh veç ato, e që ka të këqija. E njëjta është edhe me gjërat e mira dhe nuk mund ta them atë versionin pejgamberik se Albini s’bën gabime dhe kjo qeveri është më e mira, sepse po të mos kishim koncesione, s’do të kishim dialog”, është shprehur Ahmeti në Rubikon në Klan Kosova.
Tutje, ai e komentoi edhe deklaratën e sotme të kryeministrit Kurti i cili tha se “jam duke lexuar literaturë të negociatave”, për të cilën, sipas Ahmetit, ishte si ndeshje boksi.
“Nëse themi se kjo marrëveshje është e keqe e s’po e nënshkruajmë, atëherë koha s’po punon për ne, status quo-ja s’po punon për ne. Unë s’po them që duhet ta nënshkruajmë këtë marrëveshje me çdo kusht, por s’duhet t’i shtrijmë këmbët më gjatë se jorgani. Unë po them se marrëveshja ka pika të mira”, u shpreh Ahmeti.