TË FUNDIT

17 vjet nga vdekja e Millosheviqit, kriminelit që mbeti pa u dënuar për gjenocidin në Kosovë

17 vjet nga vdekja e Millosheviqit, kriminelit që mbeti pa u dënuar për gjenocidin në Kosovë

Sot janë bërë 17 vjet nga vdekja e Sllobodan Millosheviqit, ish-president i Serbisë dhe i ish-Jugosllavisë.

Millosheviq që ndryshe njihet edhe si “Kasapi i Ballkanit”, vdiq në një qeli të Tribunalit të Hagës, pa e pritur përfundimin e gjykimit ku ngarkohej me akuza më të rënda, duke përfshirë akuzat për krime lufte dhe gjenocid.

Ironikisht, vdekja Millosheviqin e shpëtoi nga vuajtja e dënimit për veprat që rëndonin mbi të.

Me të marrë pushtetin, “Slloba”, siç njihej në qarqet e ngushta, kishte bërë reforma për ndryshime kushtetuese të cilat reduktonin autonominë e provincave, çfarë ishte Kosova.

Krimet kundër njerëzimit nga regjimi i Millosheviqit cilësohen si më të rëndat qysh nga ato të nazizmit gjerman.

Vetëm në Srebrenicë të Bosnjës janë vrarë më së tetë mijë veta, në atë që tani njihet si masakra e Srebrenicës.

Krime të ngjashme ushtria serbe nën urdhrat e Millosheviqit ka kryer edhe në Kosovë derisa rezistenca e armatosur shqiptare dhe më pas bombardimet e aleancës ushtarake perëndimore e ndaluan.

Jo larg nga intervenimi i NATO-s Sllobodan Millosheviq u arrestua. Saktësisht me 1 prill 2001.

Ai u transferua për gjykim në Tribunalin e Hagës. Vdiq pa u dënuar, derisa gjykimi po vazhdonte, me 11 mars 2006.

Millosheviqi u akuzua për krime kundër njerëzimit për operacionet e ushtrisë jugosllave në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë.

Vetëm në Kosovë regjimi i udhëhequr nga Millosheviq ka shpërngulur afër një milionë shqiptarë, duke i dëbuar nga shtëpitë e tyre.

Pos të dëbuarve janë vrarë edhe 13 mijë persona, shumica civilë, kurse të zhdukur kanë qenë 5 mijë njerëz, shumica prej tyre janë gjetur, por vazhdojnë të jenë më shumë se 1 mijë persona ende të pagjetur, njofton Klankosova.tv.

Sllobodan Millosheviq ka lindur në Pozharevc, Jugosllavi më 20 gusht 1941 dhe ka vdekur në Hagë, Holandë më 11 mars 2006.

Gjatë karrierës së tij politike, Millosheviq mbajti postin e Presidentit të Republikës së Serbisë për periudhën 1989-1997.

Pastaj postin e presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë për periudhën 1997-2000.

Ndërsa ishte kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë nga krijimi i saj më 1992 deri në vitin 2001.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *