TË FUNDIT

Pas takimeve me Kurtin dhe Osmanin, Lajçak do të takohet sot me krerët e opozitës

Pas takimeve me Kurtin dhe Osmanin, Lajçak do të takohet sot me krerët e opozitës

Emisari i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, po qëndron në vizitë zyrtare në Prishtinë.

Pas takimeve të djeshme me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Lajçak sot do të takojë krerët e partive opozitare në Kosovë, shkruan lajmi.net.

Lajçak pritet që të takohet me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, në orën 10:45, me atë të AAK-së, Ramush Haradinaj, në orën 11:45, ndërsa me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, në orën 14:45.

Në takimet që ka zhvilluar dje me Kurtin dhe Osmanin, Lajçak ka diskutuar sërish mbi aneksin e zbatimit të Propozimit franko-gjerman për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Lajçak pas takimeve të djeshme e ka cilësuar takimin me Kurtin si “konstruktiv, të rëndësishëm dhe shumë të frytshëm”.

“Me kryeministrin Kurti patëm një bisedë konstruktive, shumë të rëndësishme dhe të dobishme. Po ashtu u takova me presidenten Osmani, me të cilën pata bisedë dhe do të takohem edhe me krerët e opozitës dhe bashkësinë ndërkombëtare. Qëllimi kryesor i kësaj vizite është që të marrë informacione se si Kosova e sheh zbatimin dhe ky takim ka përmbushur pritjet e mia në këtë kontekst”, ka theksuar Lajçak.
Lajçak tha se në rast se të dyja palët pajtohen, më 18 mars pritet të nënshkruhet marrëveshja.

I dërguari i BE-së në një intervistë për “Context” në ATV ka folur edhe për çështjen e Asociacionit.

Ai tha se kryeministrit Kurti i ka dhënë 15 modele evropiane për Asociacionin, të cilat modele nuk kanë çuar në mosfunksionim te shtetet.

Lajçak tha se është koha për të ndryshuar narrativën nga Kurti dhe se në vend se të thuhet se çka nuk duhet të jetë Asociacioni, të shihet si mundësi për të përmirësuar cilësinë në komunikim ndërmjet Qeverisë dhe serbëve të Kosovës.

“Unë e kuptoj se kjo është një çështje e ndjeshme, në Kosovë për zotin Kurti. Por është koha ta ndryshojmë narrativën. Dhe në vend se të thuhet se çka nuk duhet të jetë asociacioni, të shihet si mundësi për të forcuar dhe përmirësuar cilësinë në komunikim ndërmjet qeverisë në Prishtinë dhe serbëve të Kosovës, dhe po ashtu të ketë transparencë në marrëdhëniet ndërmjet serbëve të Kosovës dhe Serbisë, në përputhje me normat ekzistuese, standardet dhe modelet evropiane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *