TË FUNDIT

Feministet shkruajnë parulla kundër Eman Rrahmanit, “e shpallin non-grata” në Kuvend

Feministet shkruajnë parulla kundër Eman Rrahmanit, “e shpallin non-grata” në Kuvend

Reagime të shumta ka pasur ndaj deputetit të VV-së, Eman Rrahmani, pasi ky doli kundër idesë që e drejta e feritilizimit të asistuar mjekësor t’u jepet edhe grave të pamartuara.

Kolektivi për mendim dhe veprim feminist ka shkruajtur një parullë në një mur afër Kuvendit të Kosovës në kryeqytet, të cilin ia ka kushtuar Rrahmanit.

“Deputet, nëse s’ki Uterus, mshele gojën”, thuhet në këtë parullë.

Ky Kolektiv me një komunikatë për media thotë se deklaratat e Rrahmanit janë të rrezikshme dhe nxisin shtypjen e grave dhe cënimin e të drejtës që ato të vendosin për trupat e tyre.

“Ne shprehim indinjatën tonë që institucionet publike vazhdojnë të jenë të populluara me patriarkalë të cilët skandalizohen kur gratë marrin vendime për vete. Deputeti Rrahmani e të ngjashmit e tij patriarkalë nuk mund ta keqpërdorin edhe më tej lirinë e shprehjes për të shpërndarë gjuhë urrejtjeje e ideologji patriarkale në kuvend e hapësira tjera publike a private. E edhe kur kjo ndodhë, institucionet dhe shoqëria nuk mund të vazhdojnë të tolerojnë që një ligjërim i tillë zvetnues e stigmatizues të zë vend në ligjërimin publik meqë dhunon në mënyrë të drejtpërdrejt grate”, thuhet në komunikatën e kësaj organizate.

Ata, në formë simbolike, e kanë shpallur Rrahmanin si person “non-grata” në Kuvend.

Reagimi i plotë:

POROSI RRAHMANËVE TË KUVENDIT E SHOQËRISË KOSOVARE: NËSE S’KENI UTERUS, MSHELENI GOJËN!

Eman Rrahmanit dhe Rrahmanëve të tjerë të kuvendit sonte ua lamë këtë porosi në muret e kuvendit. E po të njëjtën ua themi të gjithë atyre burrave të skandalizuar nga deklarata e Saranda Bugujevcit për shtatëzaninë e saj përmes metodës IVF. Duke i qëndruar përkrah Sarandës e çdo gruaje tjetër në të drejtën e patjetërsueshme mbi trupin e tyre, ne ua rikujtojmë të gjithëve që nuk ua durojmë më moralizimet mbi trupat tanë. E drejta mbi trupat tanë na takon neve dhe vetëm neve!

Deklaratat e djeshme të deputetit Rrahmani që kundërshtojnë të drejtat dhe liritë themelore të grave për riprodhim janë të rrezikshme meqë cyten ta legjitimojnë shtypjen e grave dhe cënimin e të drejtës që ato të vendosin për trupat e tyre. Vizioni patriarkal i Rrahmanit ka nxitur gjuhë urrejtjeje ndaj Sarandës dhe grave anembanë Kosovës dhe kësaj duhet t’i vijë fundi.

Ne shprehim indinjatën tonë që institucionet publike vazhdojnë të jenë të populluara me patriarkalë të cilët skandalizohen kur gratë marrin vendime për vete. Deputeti Rrahmani e të ngjashmit e tij patriarkalë nuk mund ta keqpërdorin edhe më tej lirinë e shprehjes për të shpërndarë gjuhë urrejtjeje e ideologji patriarkale në kuvend e hapësira tjera publike a private. E edhe kur kjo ndodhë, institucionet dhe shoqëria nuk mund të vazhdojnë të tolerojnë që një ligjërim i tillë zvetnues e stigmatizues të zë vend në ligjërimin publik meqë dhunon në mënyrë të drejtpërdrejt gratë.

Ne sonte e shpallim Rrahmanin të padëshiruar në Kuvend dhe e paralajmërojmë atë dhe shokët e tij që ne do kundërvihemi fallocentrizmit të tyre e çdo tentative për të na shtypur dhe s’do ndalemi së thëni me zë të lartë që liria mbi trupin tonë na takon veç neve. /Lajmi.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *