TË FUNDIT

Policia i mohon raportimet për keqtrajtimin e dy të rinjve serbë në Leposaviq

Policia i mohon raportimet për keqtrajtimin e dy të rinjve serbë në Leposaviq

Policia e Kosovës ka reaguar pas raportimeve në disa mediume se në një fshat të komunës së Leposaviqit, dy të rinj të nacionalitetit serb janë keqtrajtuar nga zyrtarë policorë.

Policia ka bërë të ditur se menjëherë pas publikimit të këtyre informacioneve, më 8 mars ka ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme konform autorizimeve ligjore, me qëllim të verifikimit dhe trajtimit të informacionit dhe deklarimeve të publikuara, të cilat kanë rezultuar se nuk kanë ndonjë rast të raportuar apo evidentuar në institucionet kompetente, shkruan lajmi.net.

“Bazuar në informacionet dhe verifikimet zyrtare me të gjitha njësitet policore në terren, përfshirë ato kufitare, është vërtetuar se një rast i tillë nuk është raportuar në Polici të Kosovës, informacion ky i cili iu është kumtuar mediave të interesuara kryesisht serbe. Deklarimet dhe publikimet në fjalë, sipas kompetencës, Policia e Kosovës i ka adresuar te Inspektorati Policor i Kosovës për trajtim dhe kompetencë të mëtejme”, thuhet në reagimin e policisë.

Policia ka deklaruar se mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim.

Gjithashtu, policia ka ftuar qytetarët dhe mediat që për informacione zyrtare t’i drejtohen Policisë së Kosovës. /Lajmi.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *