Kurti “mezi pret” ta nënshkruaj marrëveshjen, Lajçakut i thotë se kjo duhet të bëhet me 18 mars
Kurti “mezi pret” ta nënshkruaj marrëveshjen, Lajçakut i thotë se kjo duhet të bëhet me 18 mars
Qeveria e Kosovës ka publikuar detajet e takimit të kryeministrit Kurti me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Në komunikatën e saj, Qeveria thotë se në takim është diskutuar për përgatitjen e takimit të nivelit të lartë mes Kurtit dhe Vuçiq në Ohër më 18 mars, shkruan lajmi.net.
Tutje, Qeveria thotë se kryeministri Kurti ka theksuar gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë që Kosova të jetë një palë konstruktive, e përgjegjshme dhe e fokusuar në parimet e demokracisë liberale të vlerave të BE-së.
Njoftimi i plotë nga kryeministria:
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.
Në takim u diskutua për përgatitjen e takimit të nivelit të lartë të caktuar për datën 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Kryeministri Kurti theksoi gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë që të jetë një palë konstruktive, e përgjegjshme dhe e përkushtuar në parimet e demokracisë liberale e të vlerave të Bashkimit Evropian.
Në këtë frymë, ai gjithashtu shprehu pritshmërinë e tij që Bashkimi Evropian të punojë në drejtim të përmbylljes së suksesshme të procesit të Marrëveshjes për Normalizim përmes nënshkrimit zyrtar të saj në takimin e radhës. /Lajmi.net/