TË FUNDIT

Kurti dhe Vuçiç konfirmojnë, më 18 mars zhvillohet takimi i radhës në Ohër

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti konfirmuan se do të takohen në Ohër më 18 mars në kuadër të dialogut mes dy vendeve, provës që po zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

Lajmi është bërë i ditur nga Shërbimi Evropian për Çështjet e Jashtme (EEAS), ndërsa në qendër të takimit do të jetë finalizimi i Aneksit Zbatues të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas EEAS.

Borrell dhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, fillimisht do të kenë takime të ndara me Vuçiçin dhe Kurtin, e më pas do të vijojë takimi i përbashkët trepalësh.

Ndërkohë, Lajçak ka folur për mediat pas takimit që ka pasur sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Lajçak tha se palët duhet të pajtohen edhe për Aneksin e Implementimit përndryshe marrëveshje s’do të mund të jetë obligative.

”Ne duhet të pajtohemi se si duhet të implementohet. Përndryshe nuk do të jetë obligative. Patëm një bisedë konstruktive dhe shumë të rëndësishme me Kurtin. Gjithashtu takova edhe presidenten. Qëllimi kryesor i këtij takimi është se si Kosova e sheh implementimin. Ky takim përmbushi pritjet e mia në këtë kontekst”, ka thënë Lajcak.

Ai ka treguar se për të njëjtin qëllim do të jetë edhe në Beograd.

“Do të jem edhe në Beograd të hënën dhe të martën për të parë se si Serbia e sheh këtë punë”, ka shtuar Lajçak./BW

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *