TË FUNDIT

A po nis presioni ndaj opozitës për propozimin evropian?

A po nis presioni ndaj opozitës për propozimin evropian?

Qëndrimet kundërshtuese të partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndaj propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbisë, kanë krijuar shqetësim për partnerët perëndimorë të Kosovës.

Propozimi evropian synon t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, vlerëson se presioni i partnerëve perëndimorë, i cili deri vonë ka qenë ishte drejtuar kah Qeveria e Kosovës për çështjet që ndërlidhen me dialogun me Serbinë, tashmë do të orientohet kah partitë opozitare lidhur me propozimin e BE-së.

BE-ja tashmë ka konfirmuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për të diskutuar mbi planin e zbatimit të propozimit të BE-së për normalizim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten tha se pritjet e tij janë që të vazhdojnë përgatitjet për takimin e 18 marsit.

Një zëdhënës i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë ka deklaruar për disa media në Kosovë se pikëpamjet e këtyre dy partive “nuk përputhen me mbështetjen e SHBA-së për propozimin”.

“Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së”, thuhet në deklaratën e publikuar më 6 mars.

Një ditë më pas, ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, duke folur për transmetuesin publik, Radio Kosova, ka thënë se pret që partitë opozitare të jenë konstruktive lidhur me planin e BE-së për dialogun dhe se ato duhet të tregojnë “përgjegjësi politike shtetërore”.

Dy partitë opozitare, PDK dhe LDK, sërish kanë shprehur rezervat e tyre lidhur me këtë propozim.

Për të biseduar lidhur me zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori i Francës, Olivier Guerot, ka takuar më 8 mars kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Në një postim në Facebook, Krasniqi ka thënë se lidhur me procesin ia ka shprehur ambasadorit Guerot “rezervat që i kemi shfaqur edhe publikisht lidhur me marrëveshjen aktuale të prezantuar”, me fokus te mungesa e “njohjes së ndërsjellë si rezultat përfundimtar i procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje për të kontaktuar zyrtarët e PDK-së për të komentuar shqetësimet e shprehura të partnerëve perëndimorë, por ata nuk janë përgjigjur.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thekson se shqetësimin e shprehur nga partnerët perëndimorë dhe në veçanti të SHBA-së e sheh si të bazuar. Këndvështrimi i këtyre shqetësimeve, sipas tij, ka të bëjë me mungesën e konsensusit në Kosovë lidhur me propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Por, sipas tij, për mungesën e këtij konsensusi, përgjegjësia i takon më së shumti kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentes Vjosa Osmani, sepse, siç thotë ai, atyre u ka munguar angazhimi dhe vullneti politik për të ndërtuar konsensus sa ma të gjerë lidhur me proceset e mëdha, në veçanti për dialogun me Serbinë.

“Në po e kuptojmë rolin dhe qëndrimin amerikan dhe na është thënë. Ne më shumë kemi pasur takime me emisarin amerikan [për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar] sesa me kryeministrin dhe më shumë kemi pasur takime me ambasadorin amerikan [në Kosovë, Jeff Hovenier] sesa me kryeministrin dhe presidenten bashkë. Por, kjo është gjendja, në të cilën LDK-ja e ka rishikuar dhe e ka riformuluar [qëndrimin]. Parimisht, ne nuk kemi ndryshuar raport dhe qëndrim. Ka ndryshuar qëndrimin kryeministri”, thotë Haziri për Radion Evropa e Lirë.

Haziri shton se LDK-ja e mbështetë procesin e dialogut, por sipas tij, kryeministri e ka dëmtuar procesin për shkak se më nuk po bisedohet për njohje të ndërsjellë me Serbinë. Ai thekson se kryeministri Kurti nuk i ka ftuar partitë opozitare “për të dhënë sqarime se çfarë ka arritur, cilat janë vështirësitë dhe pritjet lidhur me propozimin e BE-së për normalizim” dhe këtë nuk e ka bërë as në Kuvendin e Kosovës, ku ishte i ftuar me mocion.

Në këtë pikë, sipas tij, LDK-ja nuk mund ta mbështesë Qeverinë lidhur me propozimin e BE-së.

“Si mund të bëhet kjo, njëanshëm? Na tregoni… pra, opozita të reagojë njëanshëm dhe të mbështesë Qeverinë në çështjet, për të cilat nuk e dimë se çka kanë negociuar, çka ka premtuar dhe çka pret të realizohet në Ohër? Ne ende nuk jemi njoftuar. Ne e kemi detyruar kryeministrin që të vijë dhe të flasë [në Kuvendin e Kosovës] me mocion, që është masë urgjente. Por, nuk ka normalitet dhe përderisa nuk ka normalitet ky proces, ne nuk i besojmë dhe marrëveshja është në dëm të Kosovës. Kjo është… Pikë”, thekson Haziri.
Njohësi i proceseve politike, Artan Muhaxhiri, vlerëson se qëndrimet kundërshtuese të PDK-së dhe LDK-së ndaj propozimit evropian për normalizimin e dialogut Kosovë-Serbi, janë paradoksale.

“Trashëgimia në dialog ka qenë 100 për qind në harmoni me idetë evropiane dhe planet e deritashme, të cilat nuk dallohen aq shumë me planin franko-gjerman [propozimin e BE-së]. Pra, ai nuk është shumë i ndryshëm nga marrëveshjet e vitit 2013 dhe vitit 2015, të cilat janë pranuar nga PDK-ja dhe LDK-ja dhe janë votuar në Kuvend”, thotë Muhaxhiri.

Ai shton se të dy këto parti, në vazhdimësi kanë kritikuar kryeministrin Kurti për mungesë të realizimit dhe pragmatizmit në raport me projektet e mëdha ndërkombëtare për Kosovën, derisa ai po përballej me presionin ndërkombëtar. Kritikat e tilla, Kurti kishte marrë madje edhe në kohën derisa partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, ishte në opozitë.

“Tani, kur kryeministri Kurti shfaqet pragmatik dhe bashkëpunues, këto dy parti i ndryshojnë pozicionet. Duket i palogjikshëm ky kundërshtim kaq radikal i këtyre dy partive, në një moment kur presionet janë jashtëzakonisht të mëdha. Është e pritshme që këto presione, nga kryeministri Kurti, i cili tashmë është shndërruar në një aktor tejet konstruktiv, të kalojnë në drejtim të opozitës kosovare dhe pastaj të fillojë një betejë e re ndërmjet përfaqësuesve të opozitës dhe SHBA-së, si dhe BE-së”, vlerëson Muhaxhiri.
Takimi i fundit ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, me ndërmjetësimin e BE-së, u zhvillua më 27 shkurt në Bruksel.

Përfaqësuesit e BE-së thanë se Kosova dhe Serbia e kanë pranuar tekstin e kësaj marrëveshjeje bazë dhe pritet në vazhdim të diskutohet për planin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Palët nuk e nënshkruan këtë propozim, ndonëse kryeministri Kurti tha se ka qenë i gatshëm për një gjë të tillë.

Propozimi përbëhet nga 11 nene. Aty nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.

Propozimi përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *