Vendprehjet e disa pjesëtarëve të familjes së Skënderbeut
Vendprehjet e disa pjesëtarëve të familjes së Skënderbeut – Nga Valter Shtylla
Valter Shtylla
Kontributi i familjes së Kastriotëve në mbrojtjen e trojeve arbërore pa dyshim përbën momentin më të rëndësishëm dhe më përfaqësues në Historinë Mesjetare Shqiptare. Çdo burim apo relike e kësaj familjeje na e afron më tepër dhe na e bën më të prekshme kulturën materiale dhe shpirtërore të Skënderbeut dhe njerëzve të tij. Në kushtet e mungesës së të dhënave mbi reliket e vendvarrimit të Gjergj Kastriot Skënderbeut merr rëndësi zbulimi dhe identifikimi i monumenteve funerare të disa prej të afërmve të tij. Ekzistenca e këtyre objekteve në troje jashtë Shqipërisë flet për marrëdhëniet e Skënderbeut me dinasti dhe fisnikë të lartë në Evropë. Në të njëjtën kohë ruajtja me kujdes e këtyre objekteve nga ana e vendeve ku ato ndodhen, tregon respektin që gëzonte familja e shquar arbërore tek liderët evropianë.
Me iniciativën time dhe me interesin e dashamirësinë e kolegëve të huaj specialistë të trashëgimisë kulturore kam patur rastin të vizitoj disa objekte funerare nga të familjes së Kastriotëve në Spanjë, Itali, Greqi, e Mal të Zi. Duhet theksuar se, veç eksplorimit në vend, për këto objekte, megjithëse shkarazi, është shkruar edhe nga autorë të huaj. Përgjithësisht vendprehjet janë trajtuar edhe si vepra arti me dekoracione, çka dëshmon për respektin dhe nderimin që dinastitë Evropiane ushqenin për familjen e njohur të Kastriotëve. Gjatë periudhës së Mesjetës ishte në traditë lidhja familjare dhe krijimi i krushqive ndërmjet familjeve fisnike të Evropës e më gjerë. Kështu ndodhi edhe me familjen e Kastriotëve, një bërthamë numeroze dhe me emër dhe përtej komunitetit arbëror.
Mara, motra e madhe e Skënderbeut qe martuar me sundimtarin e Malit të Zi, Stefan Crnojeviçin, i cili jetonte në fortifikimin Zhabjaku i Crnojeviçëve, në veri-perëndim të liqenit të Shkodrës. Në ishullin e Komit të këtij liqeni dinastia e Crnojeviçëve ngriti një manastir si mauzole për varrimin e pjesëtarëve të kësaj familjeje. Në qendër të manastirit spikat Kisha e Shën Mërisë, e ndërtuar në intervalin kohor 1415-1427. Mendohet se fillimisht Stefani me Marën qenë varrosur pranë hyrjes së manastirit, por më pas mbetjet e tyre u vendosën brenda kishës, në narteksin e saj. Sapo hyn në kishë, djathtas, shtrire në dysheme shihen pllakat mortore të djemve të Stefanit, Aleksejit dhe Gjergjit. Më tutje, në të majtë, është pllaka e Stefanit. Pas vdekjes së Stefanit, i biri, Ivan Crnojeviçi, zgjodhi gdhendësit më të mirë nga bregdeti për dekorimin e pllakës së varrit të nënës së tij, Marës.
Pllaka e varreve Mara e Stefan në Kom
Pllaka e Marës, majtas, ngjitur me murin jugor me afresk, ka përmasat 60 x 180 cm, dhe ka një bordurë anësore të gdhendur. Në qendër të saj janë gdhendur tre lule në formë rozete. Studiuesja Tatjana Pejoviç në botimin e saj të vitit 1995 me titull “Manastiret në trojet e Malit të Zi” shprehet: “Pllakat e varrit të prindërve të Ivanit, Stefanit dhe zonjës së tij Mara Kastrioti, princeshë shqiptare, dhe motra e Skënderbeut, kanë zbukurime të pasura në gur. Të pesë pllakat e varreve përbëjnë dyshemenë e kishës. Në krye të pllakës së Marës është skalitur një monogramë ku lexohet: ‘Kjo është pllaka e zonjës Mara, princesha e Crna Gora, motra e Georgio Skanderbeg.’” Ky shënim pasqyron vlerësimin dhe respektin e princave sllavë për Skënderbeun. Ndryshe nga si veprohej zakonisht kur në epitaf vendoseshin emrat e prindërve të të ndjerit, në rastin e Marës, epitafi përmend emrin e të vëllait të saj, Skënderbeut, i cili në mesjetë njihej dhe respektohej ndërkombëtarisht.
Familja e Gjon Kastriotit, i ati i Gjergj Kastriot-Skënderbeut, përbëhej nga nëntë fëmijë, katër djem e pesë vajza. Vëllai i madh i Skënderbeut, Reposhi, shërbeu si murg në Manastirin e Hilandarit në Malin Athos (Mali i Shenjtë) – një gadishull pranë Selanikut – të ndërtuar në shekullin e XI-të. Me emrin e Gjon Kastriotit lidhen dy dokumente që ruhen në arkivin e këtij manastiri. Në dokumentin e vitit 1426 shkruhet se “Gjon Kastrioti me katër djemtë e tij Stanishin, Reposhin, Kostantinin dhe Gjergjin i falën Manastirit të Hilandarit katundet Radostushë dhe Trebisht të krahinës së Rekës në Dibër”. Në dokumentin e dytë, që është i padatuar, thuhet se “Igumeni i Manastirit të Hilandarit i shet Pirgun (Kullën) e Shën Gjergjit Gjon Kastriotit dhe tre djemve të tij, Reposhit, Konstantinit dhe Gjergjit për shumën prej 60 florinjsh.” Edhe në ditët tona kjo kullë njihet me emrin Pirgu i Shqiptarëve.
Studiuesi Steren Petkoviç, në botimin e tij “Hilandar” të vitit 1999, thekson se “Kulla e Shqiptarëve u ble nga Gjon Kastrioti dhe djemtë e tij në dekadën e tretë të shek. të XV-të për ta përdorur kur ta kërkonin rrethanat.” Në vazhdim Petkoviçi shprehet se “Reposhi, vëllai i të famshmit Skënderbeg nga familja shqiptare e Kastriotëve u varros në një varr që ndodhet në murin verior të narteksit të brendshëm të kishës kryesore të manastirit.” Studiuesi i mirënjohur kroat Milan Shuflaj përmend se: “Mbi varrin e Reposhit, në brendësi të objektit kryesor të manastirit ‘Kisha e Shën Mërisë’, është gdhendur identifikimi historik me shumë kuptim ‘Duka i Ilirëve’.”
Burimet historike dhe monumentet e kulturës materiale tregojnë se, pas vdekjes së Skënderbeut, familjet fisnike arbërore kaluan në Mbretërinë e Napolit, me të cilën heroi ynë ka pasur marrëdhënie të ngushta. Kastriotët dhe princat shqiptarë u sistemuan kudo në territoret e dinastisë së Aragonëve, me prona dhe mirëqenie në krahina të ndryshme, kryesisht në Italinë e Jugut. Në qendër të Napolit ndodhet kisha monumentale, Santa Maria la Nova, e ndërtuar në fundin e shek. të XIII-të në kohën e Karlit të parë Anzhú. Gjatë shekujve të XV-XVI-të kjo kishë pësoi dëmtime dhe me pamjen e sotme, ajo nuk duket më e hershme sesa tre shekuj. Megjithatë ajo përmban shumë relike të shekujve paraardhës.
Kisha Santa Maria la Nova në Napoli
Kisha Santa Maria la Nova është një vepër e spikatur e artit dhe e vlerave religjioze italo-mesdhetare. Në portikun e brendshëm (oborri – atriumi) ndodhen shumë varre monumentale, midis të cilëve shquhet ai i Kostantin Kastriotit, që ishte djali i djalit të Skënderbeut, Gjonit. Ky varr është një vepër arti në mermer, punuar nga mjeshtri i njohur Jacopo della Pilla. Kostantini ishte djali i Gjonit dhe nipi i Skënderbeut dhe vëllai i Alfonsit, i varrosur në vitin 1503 në Valencia të Spanjës. Kur ishte vetëm 20 vjeç, në vitin 1497 Kostantini u shpall Kryepeshkop i Izernias në veri të Napolit, pranë Molizes.
Varri i nipit Kostantin u ndërtua nga gjyshja Donika, që ishte gruaja e Skënderbeut, e cila në epitafin e tij shkruajti përkushtimin “Kostantin Kastrioti, i varrosur këtu, i cili është prej gjaku e farefisi të kulluar mbreti e perandori dhe fisnik për dlirësi dokesh e për dinjitet, kryeprift i Izernias, që vdiq para kohe. Donika Komina, gjyshja nga babai, i bëri këtë varr të mrekullueshëm në vitin njëmijë e pesëqind.” Siç dihet, pas vdekjes së Skënderbeut, anëtarët e familjes së tij u larguan për në Napoli e Valencia. Varrin e Alfonsit, djalit tjetër të Gjonit dhe nipit të Skënderbeut, Donika e ndërtoi në Napoli gjatë kohës që vetë ishte e vendosur në Valencia të Spanjës.
Monumenti mortor i Konstantin Kastriotit në Napoli
Varri i Alfonsit në Napoli, me sarkofagun, kornizat, epitafin dhe detaje të tjera, paraqet një vepër të spikatur arti. Në dy pilastrat kufizuese anësore janë vendosur dy mburoja ovale. Brenda tyre janë gdhendur dy shqiponja dykrenare me kurora mbretërore mbi kokat. Midis kokave dallohet në reliev ylli me tetë cepa. Në krye, jashtë mburojave, lartësohet kurora e Kryepeshkopit, simboli funksional i Kostantin Kastriotit në Izernia. Ylli me tetë cepa, që përfaqëson diellin, duket si simbol i dinastisë së Kastriotëve. Ky simbol vërehet edhe në vulën zyrtare të Skënderbeut, e ruajtur në arkivat e Raguzës (Dubrovnikut) në Dalmaci të Kroacisë.
Me vdekjen e Skënderbeut, familja e tij u vendos në Mbretërinë e Napolit, nën mbrojtjen dhe kujdesin e dinastisë së Aragonëve, që shtrihej deri në Valencia. Në vitin 1499 kur Nëna Mbretëreshë, Xhovana, bashkë me të bijën shkoi në Valencia tek i vëllai, Fernand Katoliko, ajo u shoqërua edhe nga Donika, gruaja e Skënderbeut, e cila pati marrë me vete familjen e të birit, Gjonit, si edhe një eskortë prej 20 kalorësish. Gjoni, djali i Gjergj Kastriot – Skënderbeut dhe i Donikës, ishte i martuar me Irenën, vajzën e Despotit serb Lazar Brankoviç dhe Elena Paleologut, që ishte e bija e despotit të Moresë, Tomas. Gjoni me Irenën, që vdiq në vitin 1505, patën shumë djem, të cilët vdiqën në moshë të re, me përjashtim të Ferdinandit.
Gjoni me të birin, Alfonsin, kanë qenë në Spanjë, ku në vitin 1500 kanë luftuar përkrah spanjollëve kundër arabëve në krahinën e Alpanjaros. Më 23 gusht 1503 Donika është parë në një pritje me mbretëreshat aragonase në Valencia. Më pas, në vitin 1506, kur fisniket aragonase u kthyen në Napoli, ato ishin të pashoqëruara nga Donika dhe ky fakt mbështet mendimin se ajo është varrosur në Valencia, në Manastirin Mbretëror San Trinidad, ku prehet edhe nipi i saj Alfonsi. Manastiri Mbretëror San Trinidad i ndërtuar në vitin 1458 nga Mbretëresha aragonase Maria de Kastilio ndodhet në qendër të Valencias. Po në këtë vit ajo u varros në atriumin e brendshëm të manastirit, në një varr monumental të punuar nga skulptori i njohur Antoni Dalman.
Autorët historianë Sales në vitin 1761 dhe Goerlich në vitin 1998, kanë shkruar se në kapelën San Migele, në verilindje të naosit, në fillim të shek. XVI-të, është varrosur gruaja e Gjon Kastriotit, birit të Mbretit të Shqipërisë, Gjergj Kastriotit, të mbiquajtur Skanderbeg nga turqit. Sipër varrit ka qenë e varur ikona e Shën Mërisë, sot e zhvendosur në kapelën përballë varrit, e cila ishte dhuruar nga Beatriçja e Hungarisë, mikeshë e gruas së Gjonit, Xhovanës. Në kapelën San Migele është gërmuar për interesa familjare dhe nuk janë zbuluar varre të hershme. Në këtë ambient aludohet të jetë varrosur edhe gruaja e Skënderbeut, Donika, për të cilën thuhet se nuk u kthye më në Napoli pas vitit 1506. Përsa i takon eskortës së Donikës, burimet shprehen se trupat e tyre prehen në atriumin (oborri) e brendshëm të manastirit ku ndodhet dhe varri monumental i mbretëreshës aragonase Maria de Kastilio.
Në naosin e kishës ndodhet pllaka e varrit të Alfonsit, djalit të Gjonit. Varri i tij ka qenë në skajin veriperëndimor të naosit, nën ballkonin e korit të kishës. Pas djegies së kishës, pllaka me mbishkrimin u ruajt në kapelën në skajin jug-perëndimor. Në fushën e pllakës prej mermeri të zi, lexohet përmbajtja e epitafit: “Këtu prehet Alfonso, biri i të famshmit Georgo Castroto, mbreti i Albanisë, i braktisur nga turqit, fortesë e pamposhtur e Krishtërimit, i cili u quajt nga turqit Eschanderbech, dhe i cili me prejardhjen e tij, vlerën dhe madhështinë e shpirtit, krahasohej me mbretin Alessandro të Maqedonisë. Vdiq në moshën 15 vjeç, në këtë qytet të Valencias, viti 1503.” Duke parë moshën dhe vitin e vdekjes, si edhe botimet, bëhet e qartë që këtu bëhet fjalë për djalin e Gjonit, dhe jo të Skënderbeut, pra për nipin e Heroit tonë Kombëtar.
Manastiri Real San Trinidad në Valencia
Manastiri Real San Trinidad i Valencias, si një monument i rëndësishëm i kulturës materiale, dëshmon në mënyrë konkrete lidhjen e fuqishme të familjes arbërore të Kastriotëve me Dinastinë e Aragonëve. Në këtë rast pasqyrohet orientimi evropiano-perëndimor i Skënderbeut si edhe përqasja e tij ndaj fesë katolike. Varrosja e një pjese të familjes së Kastriotëve në këtë manastir ku prehet edhe vetë mbretëresha aragonase, dëshmon konsideratën e lartë të dinastisë spanjolle të kohës për Kastriotët e Arbërisë. Nga burimet historike dhe sondazhet arkeologjike, mbetet për t’u saktësuar vendndodhja e varrit të Donikës. Në pllakën e nipit Alfons Skënderbeu cilësohet si “i famshmi” dhe “Mbreti i Shqiptarëve”.
Dihet se mosshpallja e Skënderbeut “Mbret” nga Papati ishte një rastësi duke qenë se Papa Piu II nuk mundi të mbërrinte në Shqipëri në vitin 1464 për ta kurorëzuar Skënderbeun “Mbret”. Cilësimi i Skënderbeut si “fortesë e pamposhtur e krishtërimit” në epitafin e Alfonsit, tregon vlerësimin e figurës së Skënderbeut nga ana e komunitetit perëndimor. Edhe pse kjo shprehje është përsëritur shpesh në burime të ndryshme, e skalitur në një pllakë historike të vitit 1503 në mjediset e një kryevepre fetare mbretërore, ajo fiton vlera të shumëfishta. Pllaka mbyllet me krahasimin e figurës së Skënderbeut me atë të një personazhi historik botëror siç është Aleksandri i Maqedonisë (Leka i Madh). Këto krahasime dhe vlerësime nuk kanë nevojë për koment.
Një tjetër personazh historik që prehet jashtë trojeve të veta arbërore është Shën Angjelina Shqiptare, vajza e Gjergj Arianit Komnen Topisë, zot i Çermenikës, i Mokrës e i Shpatit deri në Lumin Devoll. Gjatë një vizite që bëri në vitin 1461 despoti i shfronësuar serb Stefan Brankoviçi, i biri i despotit Gjergj Brankoviç, ai u njoh dhe u martua me Angjelinën, vajzën e gjashtë të Gjergj Arianitit dhe motrën e Donikës, gruas së Skënderbeut, e cila ishte vajza e madhe e Gjergj Arianit Komnen Topisë.
Manastriri i Krushedolit në Vojvodinë
Në vitet 1509-1516 Angjelina ndërtoi Manastirin e Krushedolit në Frushka Gora të Vojvodinës. Manastiri i Krushedolit njihet si vepër e përshpirtshme e familjes së despotit Brankoviç. Në vitin 1516 në këtë manastir u varros Angjelina dhe në të njëjtin vend janë varrosur edhe familjarët e saj, 200 vjet më pas, në vitin 1716, manastiri u dogj dhe shumë relike të këtij objekti religjioz u dëmtuan ose humbën. Angjelina është shpallur “Shenjtore” dhe njihet me emrin “Shën Angjelina Shqiptare”.
Përveç eshtrave të familjes së Kastriotëve, ka edhe shumë fisnikë të tjerë arbërorë që prehen jashtë trojeve tona. Kështu, në bazilikën e Frankavilës në Bari prehen pjesëtarë të familjes së Muzakajve. Konstantin Arianiti, kunati i Skënderbeut, u shpall “Dukë” në qytetin e Fanos në Itali dhe mendohet të jetë varrosur në kriptet e Kishës së Shën Agostinit pranë Panteonit në Romë. Në Kishën e Shën Sofisë, pranë Barit ndodhet varri monumental i vajzës së Vrana Kontit, e cila ishte e martuar me një fisnik nga familja e njohur romane Orsini.
Pa dyshim, këto relike duhen vlerësuar në kushtet e një mungese në muzeumet tona të objekteve nga familja historike e Kastriotëve. Marrëveshjet shtetërore ose institucionale mund të shërbejnë për të mundësuar sjelljen e këtyre veprave në muzeumet tona qendrore ose lokale. Ato mund të kopjohen e fotografohen me mjete të kohës. Pavionet e Kastriotëve në muzetë tona e meritojnë të plotësohen e pasurohen me sa më shumë objekte. Ky është një detyrim që kemi ndaj vlerave historike – kulturore që ndodhen jashtë trojeve tona pasi ato janë pjesë organike e historisë tonë kombëtare.
Burimi: Telegraf
The post Vendprehjet e disa pjesëtarëve të familjes së Skënderbeut first appeared on In For.