TË FUNDIT

Kush është Gazmend Hoxha, drejtori i ri i Policisë së Kosovës?

Kush është Gazmend Hoxha, drejtori i ri i Policisë së Kosovës?

Kabineti qeveritar ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës.

Me këtë rast, si pikë e gjashtë e rendit të ditës ishte edhe miratimi i propozim-vendimit për emërimin e drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka emëruar sot Gazmend Hoxhën, si drejtorin e ri të Policisë së Kosovës.

Kabineti qeveritar ka miratuar propozim-vendimin për emërimin e Gazmend Hoxhës, pa asnjë votë kundër apo abstenim.

Zv/ministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra ka propozuar para kryeministrit Kurti emrin e Hoxhës, për të parin e Policisë së Kosovës.

“Në konkursin e shpallur kanë aplikuar gjithsej pesë kandidatë, katër prej tyre kanë hyrë në listë të ngushtë dhe janë ftuar për të marrë pjesë në intervistë.Pas vlerësimit profesional, ministrit të Brendshëm i janë rekomanduar tre kandidatë me vlerësimin më të lartë sipas radhës. Gazmend Hoxha, Granit Fetah dhe Bahri Shala. MPB i propozon Qeverisë z.Gazmend Hoxha. Duke pasur parasysh rëndësinë e veprimtarisë së policisë dhe që kjo agjenci e sigurisë zbaton kërkoj miratimin e propozim-vendimit të kandidatit për pozitën e drejtorit të Policisë”,tha Dobra.

Gazmend Hoxha ishte vlerësuar më së shumti nga të gjithë kandidatët, edhe nga Ambasada e Britanisë në Kosovë.

Nga intervistat, Ambasada e Britanisë në Kosovë e cila ka vlerësuar procesin, e ka përzgjedhur të vetmin kandidat për t’u zgjedhur Gazmend Hoxhën.

Hoxha që aktualisht është Drejtor i Departamentit për Operacione në Policinë e Kosovës, është vlerësuar me 27.5 pikë nga britanikët, nga 40 në total.

Asnjë kandidat tjetër sipas vlerësimit të britanikëve nuk është i denjë për t’u bërë Drejtor i Policisë së Kosovës.

Gazmend Hoxha është një nga emrat më të lakuar së fundi dhe jo vetëm. Hoxha është pjesë e Policisë së Kosovës prej shumë vitesh, si dhe ka drejtuar një nga drejtoritë më të rëndësishme.

Ndryshe Gazmend Hoxha ka një karrierë të gjatë në Policinë e Kosovës, ai punën në Policinë e Kosovës e ka nisur në vitin 2000, ndërsa dy vjet më vonë kaloi në gradën rreshter në stacionin Jugu të kryeqytetit.

Në vitin 2009, Hoxha kishte qenë edhe Drejtor i Njësive Speciale, ndërsa në vitin 2010-2011 ai është emëruar Drejtor Kundër Krimit të Organizuar.

Kurse në vitin 2012, Hoxha është emëruar Drejtor i Policës në Ferizaj ndërsa aktualisht ai drejton Departamentin për Operacione në Policinë e Kosovës.
Gazmend Hoxha ndër vite është vlerësuar vazhdimisht për punën e kryer në kuadër të Policisë së Kosovës./Lajmi.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *