Presidenca pozicionohet fuqishëm kundër shtrenjtimit të rrymës
Presidenca pozicionohet fuqishëm kundër shtrenjtimit të rrymës
Presidenca e Kosovës ka dalë kundër shtrenjtimit të rrymës nga data 1 prill e këtij viti, me faturat e reja që do të jenë të vleshme për një vit.
Në komentet e dërguara në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, Presidenca ka thënë se një vendim i tillë mund të ketë ndikim eventual socioekonomik në Kosovë dhe mund të godas keq grupe të ndjeshme të shoqërisë, shkruan lajmi.net.
“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin për ndikimin eventual socioekonomik të një vendimi të tillë dhe për barrën që një vendim i tillë do t’i shkaktonte qytetarëve e në veçanti grupeve më të cenueshme të shoqërisë, si pensionistët, nënat vetushqyese, mbajtësit e skemave sociale dhe njerëzit dhe familjet e margjinalizuara. Një situatë e tillë bëhet ende më shqetësuese për faktin se në bazë të raportit të ASK-së për vitin 2022, krahasuar me vitin 2021, norma vjetore e inflacionit në dhjetor ishte 12.1 për qind. Gjersa, inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.9%, gjë që ka ndikuar në rritjen e kostos së përgjithshme të jetesës dhe varfërim të shportës së konsumatorit”, thotë Presidenca.
Presidenca tutje thotë në komentetet e saja se duhet të vlerësohen mundësitë për shmangie të rritjes së tarifave, në atë formë që të inkurajohet komunikimi ndërinstitucional dhe të merret për bazë edhe pako e Mbështetjes për Energji e BE-së përmes së cilës janë siguruar 75 milionë euro.
“Duke i konsideruar rrethanat e cekura më lartë, ZPRK-ja rekomandon që në këtë shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor të vlerësohen mundësitë për shmangie të rritjes së tarifave duke inkurajuar komunikimin dhe koordinimin ndërinstitucional me qëllim të sigurimit të subvencionimit të kostove shtesë të cilat kanë ndikuar në rritjen e vështirësive për operatorët e rregulluar. Në këtë drejtim do të mund të kontribuonte edhe pakoja e Mbështetjes për Energji e BE-së për Kosovën përmes së cilës janë siguruar 75 milionë euro për të ndihmuar me përballjen me krizën energjetike. Sipas marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe BE-së, 25 milionë euro do të shkojnë për subvencionimin e faturave të energjisë dhe metodave të ngrohjes alternative, si druri dhe peleti. Andaj, ZPRK-ja, rekomandon që përpara marrjes së një vendimi final, të shqyrtohet seriozisht mundësia e subvencionimit, duke shmangur nevojën për një vendim të ri të ZRRE-së, i cili do të rezultonte me rritje të sërishme të tarifave në vendin tone”, thotë Presidenca.
Presidenca gjithashtu thotë se opinionit të saj i kontribuon fakti se pas vendimeve të marra në të kaluarën për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave, asnjëherë nuk është bërë një rivlerësim pasues i cili do të mund të ndikonte në rikthimin e faturave të vjetra.
“Në veçanti, potencojmë rëndësinë e shmangies së një vendimi të tillë nga ZRRE-ja, duke qenë se bazuar në praktikat nga e kaluara, pas vendimeve të marra në procese për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave nuk është bërë asnjëherë një rivlerësim pasues, i cili eventualisht do të ndikonte në rikthimin e tarifave origjinale të vlefshme para rritjes në rast të rehabilitimit të faktorëve të cilët fillimisht kanë shkaktuar nevojën për shqyrtim të jashtëzakonshëm. ZPRK-ja respekton në plotni pavarësinë e ZRRE-së, mirëpo inkurajon që procesi të finalizohet duke pas konsideratë të plotë për situatën socio-ekonomike në vend, gjithnjë duke mos e rrezikuar stabilitetin, sigurinë dhe qëndrueshmërinë e sistemit energjetik”, thotë tutje presidenca në komentet e saja.
Kujtojmë se që nga 1 prilli i këtij viti, në funksion do të hyjnë faturat e reja të rrymës, të cilat nënkuptojnë shtrenjtim për 14% të elektricitetit.
Nga KEDS ndërkaq kanë kërkuar që rritja të jetë për 50%. /Lajmi.net/