Ministri Sveçla propozon Gazmend Hoxhën për Drejtor të Policisë së Kosovës
Ministri Sveçla propozon Gazmend Hoxhën për Drejtor të Policisë së Kosovës
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se ka propozuar Gazmend Hoxhën për drejtor të Policisë së Kosovës.
Sveçla ka thënë se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, Hoxha do të propozohet për t’u zgjedhur drejtor i Policisë.
“Sipas Ligjit, sipas Kushtetutës unë kam dorëzuar një emër, jo shumë emra, të një eprori të lartë të Policisë së Kosovës, për t’u zgjedhur në mbledhjen e Qeverisë… Po, është emri i Gazmend Hoxhës, eprorit të lartë, drejtorit të operacionit, që pres të votohet për drejtor të ri të Policisë së Kosovës” – ka deklaruar Sveçla për RTV Dukagjin.
Gazmend Hoxha aktualisht është drejtor i Operacioneve në Policinë e Kosovës.
Më 30 shkurt të këtij viti janë bërë gjashtë muaj, pra gjysmë viti, prej kur institucioni i sigurisë në vend, Policia e Kosovës, nuk ka drejtor.Ky institucion që nga 30 gushti i 2022-ës po udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Fehmi Hoti, i cili deri në ditën e dorëheqjes së ish-drejtorit Samedin Mehmeti mbante pozitën e zëvendësdrejtorit.
Ndërsa, dorëheqja e Mehmetit kishte ardhur për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale, për rastin ku dyshohet se ishte dhunuar një 11-vjeçare në Prishtinë.