Veliu: Prej dy vjetësh kryetari i Podujevës vazhdon të qeverisë përmes skandaleve, qytetarët duhet t’i thonë ndal
Veliu: Prej dy vjetësh kryetari i Podujevës vazhdon të qeverisë përmes skandaleve, qytetarët duhet t’i thonë ndal
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu është deklaruar në lidhje me qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë.
Veliu tha se Vetëvendosje “pushtetin e morën nga rruga, prandaj qeverisin me logjikën dhe formulën e rrugës”.
Sipas tij prej dy vitesh, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi vazhdon të qeverisë përmes skandaleve.
Veliu tha se përplasja e vazhdueshme me anëtarët e ekzekutivit, ngarkim-shkarkimet e drejtorëve më nuk përbëjnë lajm në qeverisjen e kësaj komune, transmeton lajmi.net.
Sipas tij, qytetarëve nuk iu desh shumë që ta kuptojnë se Podujeva ka rënë në duart e një mashtruesi, që e ka të vështirë të konsolidojë grupin dhe se prandaj çdo ditë shqelmon drejtorë, që mund t’i bëhen pengesë e lojërave të pista dhe abuzive me pushtetin.
Postimi i plotë:
Pushtetin e morën nga rruga, prandaj qeverisin me logjikën dhe formulën e rrugës.
Për më shumë se dy vjet në krye të Komunës kryetari aktual, i cili u promovua jo me fuqinë e lidershipit, por me fuqinë e grushtave ndaj një zyrtari komunal, vazhdon të qeverisë përmes skandaleve.
Përplasjet e vazhdueshme me anëtarët e ekzekutivit, ngarkim-shkarkimet e drejtorëve më nuk përbëjnë lajm në qeverisjen komunale.
Në mungesë të vizionit qeverisës, projekteve dhe rezultateve, e vetmja gjë që prodhon kryetari aktual janë skandalet e vazhdueshme, duke shpërfaqur egon e tij të sëmurë kudo.
Me logjikën e mashtrimit, kryetari aksidental i Podujevës vazhdon të rrah gjoks me projektet e trashëguara nga qeverisja e LDK-së, duke i përvetësuar e promovuar si të vetat.
Propaganda dhe zhurma e ushtrisë së rrugës, të instaluar në Komunë, nuk e mbulojnë keqmenaxhimin dhe abuzimin e kryetarit aktual me administratën komunale, arsimin, shëndetësinë, bujqësinë dhe infrastrukturën.
Qytetarëve nuk iu desh shumë që ta kuptojnë se Llapi ka rënë në duar të një mashtruesi, që po e ka vështirë të konsolidojë grupin, prandaj çdo ditë shqelmon drejtorë, që mund ti bëhen pengesë e lojërave të pista dhe abuzive me pushtetin.
Dy vjet pushtet janë shumë, por edhe më shumë janë tri vitet të tjera të vazhdimit të qeverisjes shkatërruese për qytetarët.
Qytetarët e Llapit duhet t’i thonë ndal këtij kryetari aksidental./Lajmi.net/