TË FUNDIT

Rreth 7 mijë shqiptarë nga Lugina e Preshevës jetojnë në Kosovë pa shtetësi

Rreth shtatë mijë shqiptarë të Luginës së Preshevës, të cilat që prej vitit 1999 jetojnë në Kosovë, nuk kanë marrë ende shtetësinë kosovare.

Kështu deklaroi për “Arbresh.info”, Enver Haziri nga zyra për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në kuadër të Komunës së Gjilanit.

Ai thotë se janë duke shqyrtuar mekanizmat për zgjidhjen e problemit derisa e vlerëson angazhimin e Qeverisë Kurti për sa i përket çështjes së shtetësisë për shqiptarët e Kosovës Lindore.

Sipas tij, spastrimi etnik që vazhdon të e bëj Serbia për këta shqiptar po ndodh në sytë e Bashkimit Evropian për të cilën sipas tij bien ndesh me parimet evropiane.

“Është e rëndësishme të theksohet se mungesa e dokumentacionit është një ndër sfidat e jashtëzakonshme që po e bartin mbi supe qytetarët e Kosovës Lindore që jetojnë në Kosovë tash e 23 vite pas dëbimit, sepse deri më tani kanë qenë në mëshirë të askujt, shteti okupues serb vazhdimisht po i diskriminon duke i pasivizuar këta qytetarë dhe të njëjtit i po i fshinë nga librat amë vetëm e vetëm që tua vështirësojnë jetesën dhe kuptohet tenton që të bëjë spastrim etnik modern, e kjo për çudi po ndodhë para syve të Bashkimit Evropian e heshtja e tyre në këto raste padyshim bie ndesh me parimet evropiane’’, tha ai.

Haziri, thotë se shqiptarët nga Lugina që jetojnë pa shtetësi në Kosovë ju pamundësohet punësimi, shkollimi dhe marrja e shërbimeve shëndetësore.

“Pas konstatimit të gjendjes menjëherë kemi filluar të bëjmë regjistrimin e qytetarëve të dëbuar nga Kosova Lindore që tash e 23 vite jetojnë në Republikën Kosovës, e që përafërsisht tek ne janë regjistruar rreth 700 persona, por duhet potencuar që ky nuk është fillestar dhe numër determinant sepse ne konsiderojmë që vetëm në Komunën e Gjilanit janë afër 3000 qytetarë të cilët kanë probleme të dokumentacionit thotë ai.

Këta qytetarë, sipas tij, shteti okupues i ka pasivizuar dhe i ka fshirë nga evidencat, ndërsa në shtetin amë, Republikën e Kosovës kanë mbetur pa shtetësi për arsye se ligjet pozitive janë tejet të disfavorshme për të marrë shtetësinë.

“Konsiderojmë që një numër i konsiderueshëm dhe i përafërt është edhe në Komunën e Fushë Kosovës, po ashtu dhe një pjesë më e vogël është në Komunën e Prishtinës dhe Kamenicës. Prandaj, duke u bazuar në takimet e përditshme me qytetarë, konsideroj që në Republikën e Kosovës numri i tërësishëm i këtyre qytetarëve është diku rreth 7000 qytetarë, ku jemi të vetëdijshëm që kjo problematikë tani më është shndërruar në një problematikë jetësore, e cila që po ua vështirëson jetesën këtyre qytetarëve në të gjitha fushat e jetës, sidomos në marrjen e shërbimeve shëndetësore, shkollim, punësim’’, shprehet Haziri.

I angazhuari në zyrën për Luginë më tej thotë se dakordimin për planin franko-gjerman në njohjen e dokumenteve dhe diplomave mund të jetë lehtësim sa i përket çështjes së shtetësisë, por që kërkon nga Qeveria të luaj rol shumë më aktiv në prezantimin e diskriminimit në baza etnike.

‘’Qeveria e Republikës së Kosovës do të duhet të luaj një rol shumë më aktiv në prezantimin e diskriminimit në baza etnike e në veçanti me problemin e pasivizimit të adresave nga shteti okupues serb, prandaj edhe qeveria do të duhet të tentonte ta bëjë temë diskutimi çështjen në Bruksel. Po e ritheksoj që një marrëveshje e cila nuk e ka pjesë përbërëse Kosovën Lindore është e mangët dhe e lë përsëri Ballkanin në tension sepse nuk ka logjikë që minoriteti serb në Kosovë të trajtohet si qytetarë të dorës së parë, ndërsa shqiptarët në Kosovë Lindore të trajtohen si të dorës së pestë sepse kjo pastaj bie ndesh edhe me parimet e Bashkimit Evropian dhe konventat ndërkombëtare e të cilat thërrasin për barazi në mes të njerëzve’’, përfundon Haziri.

Për këtë çështje, nga Ministria e Punëve të Brendshme për “Arbresh.info” thonë se gjatë këtij viti është paraparë plotësim ndryshimi i Ligjit për Shtetësi.
Tutje, nga kjo ministri thonë se të gjitha ndryshimet do të jenë në përputhje me normat ndërkombëtare dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
‘’Në planin legjislativ për vitin 2023 është paraparë plotësim ndryshimi i ligjit për shtetësi, të gjitha ndryshimet do të jenë në përputhje me normat ndërkombëtare dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës’’, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Ndryshe, në vitin e kaluar Ministria e Punëve të Brendshme kishte njoftuar se ligji për fitimin e shtetësisë së Kosovë për shqiptarët e Luginës së Preshevës do të hidhej për votim në Kuvendin e Kosovës, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *