INTERESANTE

Konflikti shqiptaro-serb në zonën e Dibrës

(shtator-tetor 1913)
(Roli i Vjenës, Romës dhe Berlinit)

Situata e krijuar në kufirin e shqiptaro-serb, të caktuar nga Konferenca e Londrës, u acarua në shtator 1913, në zonën Veri-lindore. Qarqet qeveritare i gëzoi fitorja, me shpresë se mund të shqyrtohej kufija në favor të Shqipërisë, megjithë atë Qeveria e Përkohshme kishte frikë e nuk dinte si të sillej, sidomos nuk dinte ç’të bënte me armët e fishekët e plaçkitur, me robërit serbë dhe si te vepronte për t’i bërë ballë sulmit të përgjakshëm që mund të bënin serbët kundër shqiptarëve kryengritës e për t’i shpëtuar këta nga barbarizmat e serbëve.

Prandaj vendosi tu lutej të gjashtë Fuqive të Mëdha që të hynin ndërmjetës për t’i dhënë fund konfliktit, për të mos u derdhur më gjak dhe për t’i vënë sa më shpejt gurët e kufisë duke marrë parasysh sa më shpejt që të ishte e mundur dëshirat e popullit shqiptar. Ismail Qemali po u lutej sidomos Qeverisë së Austro-Hungarisë e Italisë që të mbronin interesat e kombit shqiptar.

Më 29 shtator 1913, ministri i Jashtëm i Austro-Hungarisë, Berchtold, i telegrafoi konsullit në Beograd që t’i thoshte qeverisë serbe miqësisht që, nëse bënte ndonjë operacion kundër Shqipërisë duhet ta dinte se do të kishte konseguenca të papëlqyera për Serbinë.

Qeveria serbe bëri një deklaratë, ku theksonte se Serbia nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të mbrohej nga sulmet e shqiptarëve dhe s’kishte ndërmend të shkelte kurrësesi tokat shqiptare dhe se kishte vëndosur një herë e mirë që t’i respektonte vendimet e Fuqive të Mëdha.

Ndërkohë, këshilltari i Legatës austriake në Bukuresht, Franz Baron von Haymerli, e informonte Vjenën për konfliktin shqiptaro-serb. Sipas tij, lajmet që kishte botuar shtypi serb mbi luftime të përgjakshme afër Gjakovës e Prizrenit ishin shpifje dhe se këto shpifje e falsifikime do t’i kishin bërë serbët me qëllim që Serbia të mbështetej në to për të kërkuar një kufi strategjik duke këputur diçka nga Shqipëria.

Më 3 tetor 1913, Nikola Pashiq i bëri një vizitë Berchtoldit në Vjenë dhe midis të tjerave, biseduan edhe për Shqipërinë.
Pashiqi i kishte thënë se kryengritja shqiptare ishte në të shtypur e sipër dhe Serbia kishte qëllimet më të mira për tu pajtuar me shqiptarët fqinj dhe për të jetuar në paqe me ta.

Berchtold i theksoi se sipas gjithë lajmeve që kishte marrë nga Shqipëria, ajo s’kishte kurrfarë qëllimi armiqësor kundër Serbisë dhe se Qeveria e Përkohshme s’kishte pasë gisht aspak në kryengritjen shqiptare përtej kufirit.

Gazetat e pasmesditës së 3 tetorit botonin një intervistë të Pashiqit për qendrimin ndaj kryengritjes së shqiptarëve. Duke qenë se intervista linte vend për interpretime të ndryshme, Konti Berchtold i dërgoi një letër private Pashiqit, ku i theksonte pikpamjet e Vjenës për atë kryengritje.

Në letër ai vinte në dukje se Vjena nuk përziehej në masat që merrte Serbia jashtë kufijve të Shqipërisë, por nga ana tjetër kufijtë e Shqipërisë që kishte vendosur Konferenca e Ambasadorëve në Londër i quante të paprekshëm dhe kërkonte që ushtarët serbë të mos i preknin ato kufij dhe shtonte se nuk luanin nga deklarata që i kishte dhënë qeverisë serbe.

Pas marrjes së letrës, Pashiq i kishte thënë përfaqësuesit të Vjenës në Beograd, se do të kërkonte menjëherë informata se ku ndodheshin forcat ushtarake serbe dhe angazhohej se do të këmbëngulte që të respektohej patjetër kufiri i Shqipërisë.
-Edhe në qoftë se ushtarët serbë mund të kishin shkelur ndonjë vend pranë kufisë, kjo shkelje, -theksonte ai, – do të ishte thjesht e përkohëshme.

Më 7 tetor 1913, këshilltari i Legatës austriake në Beograd pati një bisedë me Pashiqin, mbi marrëdhëniet midis Serbisë e Shqipërisë. Pashiqi i kishte thënë se Serbia nuk kishte ndërmend që të zaptonte toka të tjera, sapo Komisioni Ndërkombëtar dhe Fuqitë e Mëdha të vinin gurët e kufirit dhe rregull e qetësi në Shqipëri, forcat serbe do të prapseshin me një herë përkëtej kufirit. Ai shpresonte se Komisioni Ndërkombëtar ndofta mund të bënte ndonjë shqyrtim për të vënë ndonjë kufi më të mirë që të mund të mbrohej dhe më lehtë.

Por përfaqësuesi i Vjenës ia preu fjalën duke i përmendur se kufiri do të vihej doemos si ishte caktuar në Londër. Në këtë pikë s’mund të lëshojmë pe kurrësesi, – tha ai, – sepse ndryshe do të na delnin përpara dhe Greqia e Mali i Zi me dëshira të këtilla.

Më 9 tetor 1913, Pashiq u tha përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha në Beograd se pikpamja e qeverisë serbe në çeshtjen shqiptare ishte fare me vend dhe se Fuqitë e Mëdha duhej të përpiqeshin që çetat kriminale (siç i quante ai, – shënimi im, XH.S), të shqiptarëve të mos u binin më qafë viseve kufitare serbe.

Më 14 tetor 1913, Berchtold thirri ambasadorin e Serbisë në Vjenë dhe i paraqiti një deklaratë të prerë ku kërkonte nga qeveria serbe të hiqte trupat ushtarake nga viset e Shqipërisë autonome. Ai i tha zotit Jovanoviç se, në kundërshtim me bisedimet e bëra me Pashiq dhe deklaratat e tij, serbët nuk po i respektonin kufijtë e Shqipërisë që janë caktuar në Londër e që s’mund të bëheshin serbe kurrësesi. Që të mos dilnin keqkuptime midis Vjenës dhe Beogradit, ai kërkoi që Serbia të jepte një deklaratë të prerë se do të respektonte kufijtë që ishin caktuar në Londër.

Ambasadori serb e siguroi se qeveria e tij s’kishte ndërmend të zaptonte asnjë pëllëmbë tokë shqiptare. Në qoftë se me të vërtet qeveria serbe kërkon një rektifikim të vogël të kufisë që ishte caktuar në Londër, kjo gjë s’mund të ishte tjetër veçse një rektifikim i parëndësishëm për të siguruar kufirin që të mos futeshin çetat shqiptyare.

Por Berchtoldi iu përgjigj se ishte e pamundur që të ndryshohej kufiri në favor të Serbisë, qoftë edhe për një ratifikim sado të vogël, sepse më një anë kufijtë e tanishëm janë vënë në dëm të Shqipërisë më të dobët e Serbisë më të fortë, por dhe nga ana tjetër po të cënohet kufija që është vënë në Londër do të tronditej patjetër ndërtesa që ishte ngrehur atje me mundime të mëdha.

Më 15 tetor, Pashic bëri një deklaratë ku theksonte se ushtrive serbe u ishte dhënë urdhër që ta ndalnin hovin e të mos futeshin më në Shqipëri.
Por, Pashiqi pretendonte se gjersa përballë pozitave të ushtrisë serbe gjendeshin çeta shqiptarësh gati për luftë, forcat ushtarake serbe nuk mund të tërhiqeshin nga viset shqiptare që kishin pushtuar. As Fuqitë e Mëdha as Austro-Hungaria, tha ai, nuk kanë marrë përsipër t’ia shpërblejnë Serbisë dëmet që i kanë bërë shqiptarët.

Pashiq shpresonte te ndihma e Fuqive të tjera të mëdha për ndryshimin e kufirit. -Mejtimin e tij se Komisioni i Kufis do të verë kufi të reja apo që e kishte këtë kompetencë, e kundërshtova, unë kategorisht, – theksonte Storck. I thashë se ky Komision s’ka tjetër detyrë, veç se të shënojë, apo më mirë, të ngulë gurët e kufisë që është caktuar pothuaj se qartë e kthjellët në Konferencën e Londrës.

Po më 15 tetor, Storck i raportonte Vjenës se kishte pasur një bisedë të ashpër me Pashiqin dhe se qeveria serbe i kishte gënjyer ditën për diell.
– Kam frikë se Serbia nuk do të lëshojë pe aq lehtë, – theksonte ai. Për ta shtërnguar atë që të bjerë në gjunjë, duhet t’i tregojnë grushtin të gjitha Fuqitë e Mëdha me një zë, kurse këtë gjë nuk e bën Rusia e ndoshta as Franca jo. Le të shpresojmë se së paku Inglija, që lot rolin kryesor, do të ngulë këmbë për respektimin absolut të kufisë së Shqipërisë që është caktuar nën kryesinë e saj… Pa e vënë Serbinë me shpatulla për muri nëpër shtërngim fizik a me kërcënim nuk besoj që t’ia arrijmë dot qëllimit. Në vajtë puna gjer në atë shkallë, padyshim Serbia do të bjerë në gjunjë aty për aty si kurdoherë gjer më sot dhe do të kënaqet që e futi përsëri Monarkinë në telashe të mëdha e në sakrifica materiale.

Vjena u konsultua me Romën, por Markezi Di Sangiuliano ishte i mendimit që duhej verifikuar më parë me siguri, se ku gjendej ushtria serbe.
Por, siç raportonte përfaqësuesi i Vjenës në Romë, qarqe politike të atjeshme nuk u pëlqente që Italia të bashkëpunonte me Austro-Hungarinë për këtë çeshtje. Disa thoshin se për shkakun e Shqipërisë, Italia u prish me Greqinë e me Malin e Zi dhe ishte frikë e madhe që t’i prishte relacionet e saj politike e ekonomike me Serbinë. Megjithate, ministri i Jashtëm i Italisë nuk i përfilli këto zëra.

Më 16 tetor 1913, ambasadori gjerman në Beograd mori instruksione nga Berlini që të përkrahte Vjenën duke i bërë të qartë qeverisë serbe që të tërhiqte forcat e saj nga Shqipëria.

Pashiqi pretendonte se sa herë ishin prapsur forcat ushtarake serbe, kurdoherë kishte pasur një sulm të shqiptarëve.

Më 17 tetor 1913, Berchtold iu drejtua Fuqive të Mëdha, ku bënte një përshkrim të hollësishëm për pretendimet e Serbisë dhe këmbënguljen e saj për të pushtuar tokat shqiptare që u përfshinë brenda kufirit të saj nga Konferenca e Londrës. Ai i vinte në dijeni për masat që do të merrte Vjena për të detyruar Beogradin të largonte forcat ushtarake nga Shqipëria.
Berchtold shpresonte se qeveria e Italisë dhe e Gjermanisë, si aleate të saj, do t’i gjenin me vend arsyet e forta që e kishin shtyrë Vjenën të merrte një masë të tillë.
Nën presionin e Vjenës, Belinit dhe Romës, Serbia i tërhoqi repartet e saj përtej kufirit të caktuar nga Konferenca e Londrës.

Xhafer Sadiku

The post Konflikti shqiptaro-serb në zonën e Dibrës first appeared on In For.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *