TË FUNDIT

Kurti tregon se çka përfiton Kosova nga marrëveshja bazë me Serbinë: Vetëm neni 10 është problematik

Kryeministri Albin Kurti me ftesë të deputetëve po raporton këtë të enjte në Kuvendin e Kosovës lidhur me dialogun me Serbinë dhe takimin e 27 shkurtit në Bruksel me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Ai tregoi se me këtë datë ka zhvilluar dy lloje të takimeve; fillimisht atë bilateral me ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak dhe pastaj atë trilateral ku i pranishëm ka qenë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, transmeton Telegrafi.

Në takimin e fundit Kurti tha se BE-së i ka ofruar nënshkrimin zyrtar të marrëveshjes bazike me Serbinë, por sipas tij, të njëjtën gjë ka refuzuar që ta bëjë Vuçiqi.

“Qëndrimi i përfaqësuesit Borrell është që ky dokument nuk do të diskutohet më. Ka një format të finalizuar dhe prandaj është publikuar në faqen zyrtare të BE-së. Refuzimi për ta nënshkruar këtë marrëveshje nga ana e Serbisë tregon se ata nuk janë darkord me përmbajtjen. Presidenti Vuçiq po refuzon ta pranojë marrëveshjen si kuadër i detyrimeve ndërkombëtare të obligueshme për palët. Arsyet e refuzimit të tij nuk meritojnë komentim nga ana ime”, u shpreh kreu i ekzekutivit kosovar.
Ai tutje tha se marrëveshja bazë mes Kosovës dhe Serbisë përbën hap të rëndësishëm në rregullimin e marrëdhënieve të jashtme ndërkombëtare ndërmjet dy shteteve të pavarura.

Sipas tij, ajo bazohet në parimin e barazisë së sovranëve, respektin për integritetin territorial, heqjen dorë nga pengesat për anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare, njohjen e simboleve shtetërore, pasaportave etj.

Tutje, Kurti tha se i vetmi nen ku ka një problem në këtë marrëveshje është ai që lidhet me obligimet e trashëguara e për të cilat ka një konsensus ndërkombëtar që ato duhen zbatuar.

“Është neni 10 i marrëveshjes, fjalia e fundit. Përmban normën që të gjitha marrëveshjet e Brukselit duhen zbatuar. Këtë duhet ta kuptoni si një detyrim ndaj tërësisë dhe paqartësisë që e shoqëron në tërësi e jo si diçka të veçantë ndaj një elementi të një marrëveshje, natyrisht e kam fjalën për marrëveshjen Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013 e të ratifikuar në këtë Kuvend e të zgjeruar me marrëveshjen Mustafa-Vuçiq më 25 gusht 2015 mbi Asociacionin. Pra, marrëveshja bazë nuk i veçon elementet, por i vendos ato në një normë të tipit kategori”, u shpreh mes tjerash kryeministri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *