Kryeministri sqaron Nenin 7 të propozimit evropian: Flet për komunitetin serb, jo për komunat me shumicë serbe
Kryeministri sqaron Nenin 7 të propozimit evropian: Flet për komunitetin serb, jo për komunat me shumicë serbe
I pari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti ka folur sot gjerë e gjatë në lidhje me takimin e fundit në Bruksel, atë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, takim ky i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Kurti me këtë rast ka sqaruar po ashtu edhe pikën e shtatë të propozimit evropian, apo Neni 7 në Marrëveshjen Bazike, ku flitet për “sigurimin e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.
Kurti tha se në nenin 7 të propozimit flitet për komunitetin serb dhe jo për komunat me shumicë serbe.
“Ne nenin 7 flitet për komunitetin serb. Pra komuniteti serb nuk janë komunat me shumicë serbe. Janë dy gjera të ndryshme. Komuniteti serb ekziston edhe në planin e Ahtisarit edhe në Kushtetutë. Marrëveshja parasheh që të drejtat e komunitetit serb duhet hartuar në përputhje me të drejtat e Këshillit të Evropës”, deklaroi Kurti në seancën plenare.
Gjithashtu kreu i Qeverisë së Kosovës theksoi se një vetmenaxhim i tillë parashihet edhe në nenin 22 të Kushtetutës së Kosovës.
“Pra maksimumi që do të mund të nënkuptonte një vetëmenaxhim i tillë është ajo që kushtetuta e parasheh në nenin 22 të saj. Propozimi kryesor s’ka asnjë referencë se çfarë do të nënkuptojë një vetëmenaxhim I tillë, përderisa Tavani i lartë është Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës.Kjo nënkupton që rezultati duhet të jetë një format I respektit për të drejtat individuale jo territoriale të pakicave. Që bazohet në individin me të drejta edhe sipas përkatësisë e jo në institucionet apo monopolin territorializues të tyre. Këtu nuk kam dhënë asgjë. Ajo që kam premtuar e pranuar është që komuniteti serb të trajtohet sipas nenit 22 të Kushtetutës që e ka pjesë të saj Konventën Kornizë. Kushdo që thotë që kjo nënkupton diçka shtesë e ka gabim. Ose kështu rezonojnë në fqinjin tonë armik. Komuniteti serb nënkupton një dimension social dhe jo territorial, jo institucional e jo politik të një tërësie të individëve. Nuk ka komunitet pa individë, por individët nuk mund të bëhen komunitet.Konventa kornizë ka subjekt individët që janë pjesë e grupeve minoritare dhe ky është kuptimi i Nenit 7. Pra neni 22 I Kushtetutës është referencë për të drejtat individuale”,përfundoi Kurti./Lajmi.net/