Së shpejti fillon ndërtimi i spitalit rajonal të Prishtinës
Së shpejti fillon ndërtimi i spitalit rajonal të Prishtinës
Këtë vit fillon ndërtimi i spitalit të Prishtinës dhe kjo është konfirmuar nga Komuna e Prishtinës.
Zyrtarët shëndetësorë mendojnë që nuk ka nevojë për ndërtim të spitalit rajonal, sepse sipas tyre, këtë funksion mund ta kryejë shërbimi sekondar në QKUK-ë.
Me Ligjin për kryeqytetin, të miratuar në vitin 2017, Prishtina e ka të paraparë që përveç shërbimeve të kujdesit primar shëndetësor, të ofrojë edhe shërbime të kujdesit sekondar shëndetësor, e që nënkupton ndërtimin e spitalit të kryeqytetit.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, ka thënë për Radio Kosovën së qeverisja aktuale në kryeqytet e ka prioritet ndërtimin e spitalit të qytetit. Sipas Sadikut, mjetet tashmë janë ndarë dhe këtë vit, do të fillojë edhe ndërtimi i spitalit.
“Me ardhjen e qeverisë së re të kryetarit Përparim Rama, prioritet ka qenë ndërtimi i spitalit të Prishtinës i cili ka qenë institucion i propozuar në çdo fushatë prej vitit 2000, dhe ne, realisht, vitin e kaluar kemi ndarë një pronë. Dhe tash jemi në fazën e dytë në bërjen e planit në detaje të spitalit. Komuna e Prishtinës ka ndarë edhe buxhet prej 1 milion e 300 mijë eurosh dhe mendoj që këtë vit do të fillojë ndërtimi i spitalit të qytetit”, tha Sadiku.
Ndërsa nga Oda e Mjekëve të Kosovës, nuk e shohin të nevojshme ndërtimin e një spitali të ri. Pleurat Sejdiu ka thënë për Radio Kosovën se nuk ka nevojë për një spital rajonal por ka nevojë për ndarjen e QKUK – së në shërbimet e nivelit terciar dhe sekondar. Sipas tij, pjesa sekondare mund të kryejë funksionin e një spitali rajonal, që do t’i mbulonte komunat nga Podujeva deri në Drenas.
“Për godina të reja e spitale të reja e ndërtesa të reja nuk besoj që ka nevojë, prandaj, duhet vetëm vullnet politik për një koordinim ndërmjet nivelit lokal dhe qendror dhe të bëhet një gjë me kosto me të ulët ku dhe do të jetë shumë më funksionale, pasi që ekziston një sistem veçse duhet të reformohet”, tha Sejdiu.
Edhe Besim Kodra nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve është kundër ndërtimit të spitalit të ri. Ai në një prononcim për Radio Kosovën ka thënë se nëse fillojmë me ndërtimet e spitaleve të reja, më shumë do të kenë kosto financiare sesa që do të jene efektive.