Publikimi i emrave nga Specialja, reagojnë nga OVL-UÇK-ja: Skandal dhe poshtërsi e radhës
Skandal dhe poshtërsi të radhës e ka cilësuar ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, publikimin e emrave nga Specialja të viktimave që pretendohet se janë vrarë dhe zhdukur në rastin Thaçi dhe të tjerët.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një version publik më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ku bëhen të ditur emrat e disa nga viktimat që pretendohen se janë vrarë dhe disa të tjerëve që pretendohet se janë zhdukur me forcë.
Me këtë veprim, Klinaku ka thënë se për herë të dytë Zyra e Prokurorit të Specializuar po rrezikon dëshmitarët pasi sipas tij, një gjë e tillë e ka bërë edhe në rastin e “skandalit të rrjedhjes së dosjeve nga zyrat e tyre në Hagë”.
“Skandali tjetër dhe poshtërsia e radhës nga Gjykata Speciale, përkatësisht Pseudo Zyra e Prokurorit të Specializuar: I publikon emrat e viktimave që kinse i kanë kryer krerët e UÇK-së, e kjo bëhet para se të filloj procesi gjyqësor”, ka shkruar ai në Facebook.
“Me këtë, për herë të dytë, por edhe më shumë i rrezikojnë dëshmitarët, sepse herën e parë i kanë rrezikuar kur ju ndodhi skandali i rrjedhjes së dosjeve nga zyrat e tyre në Hagë dhe për fajin e tyre mbahen peng qe dy vite e gjysmë krerët e OVL UÇK-së Hysni Gucati e Nasim Haradinaj”.
Tutje, Klinaku e ka quajtur Zyrën e Prokurorit të Specializuar “përçarëse të popullit shqiptar”.
“Nuk kanë faj këta, por meqë nuk kemi shtet, kjo zyrë përçarëse e popullit shqiptar le të vazhdojnë kështu me skandale të vazhdueshme”, ka përfunduar ai.
Ndryshe, në Komunën e Drenasit si viktima të vrasjes përmenden: Emin Emini, Ibush Hamza, Hyzri Hajrizi, Shaban Hoti, Safet Hysenaj, Bashkim Rashiti, Lutfi Xhemshiti, Shyqyri Zymeri dhe Hasan Hoxha. Tutje, përmendet edhe Ajet Gashi.
Në Komunën e Lipjanit si viktima të vrasjes përmenden: Bojan Cvetkoviq, Zarko Filipoviq, Dragoljub Tanaskoviq, Zivota Todoroviq, Dragan Vuçetiviq.
Kurse, në Komunën e Podujevës si viktimë përmedet Osman Sinani, derisa në Komunën e Rahovecit përmendet Cvetko Pleviq, e po ashtu edhe Hysen Krasniqi. Në Suharekë si viktima përmenden Latife Kololli dhe Rrushe Kololli.
Si viktima të zhdukjes me forcë në Ferizaj përmenden: Rrahim Elezi, Riza Kiki, Faik Reci dhe Nezir Topojani. Kurse, në Suharekë, përmenden Latife Kololli dhe Rrushe Kololli. Ndërsa, në Gjakovë përmendet Pal Krasniqi.