TË FUNDIT

Gashi: Asociacioni i pranuar nga Kurti, shkon përtej asaj që kanë nënshkruar Mustafa e Thaçi

Gashi: Asociacioni i pranuar nga Kurti, shkon përtej asaj që kanë nënshkruar Mustafa e Thaçi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, konsideron se plani evropian lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe shkon përtej asaj që kanë nënshkruar ish-kryeministrat, Hashim Thaçi (2013) e Isa Mustafa (2015).

Gashi tha se kryeministri i vendit Albin Kurti, këtë plan e ka quajtur si bazë e mirë dhe të njëjtën veçse e ka pranuar.

“Komunat me shumicë serbe në Kosovë do të kenë një formë të veçantë të vetëmenaxhimit – Kurti duhet të sqarojë se çfarë nënkupton vetëmenaxhimi, problemi tjetër, një kanal special për serbët e Kosovës në komunikim me Qeverinë e Kosovës, çfarë nënkupton kjo president apo ambasador?”, ka thënë Gashi në Klan Kosova.

“Kjo nuk ka qenë më herët, ajo që kam mundur të vërej unë është që shumica e analistëve e kanë interpretuar sikur kjo është Asociacioni – kjo është përtej saj dhe është përtej asaj çka kanë nënshkruar Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi. Kjo iu jep më shumë fuqi serbëve në Kosovë”, tha ai.

Gashi, mes tjerash, tha se Kurti duhet të japë shpjegime për nenin 7 të planit të cilin e konsideron si problematik.

“Zotëri Kurti duhet të tregojë se çfarë nënkupton vetëmenaxhimi i komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe çfarë kanali duhet të kenë serbët në Kosovë për komunikim me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Këto nuk janë nënshkruar nga Mustafa e Thaçi por po pranohen nga Kurti që po i quan si bazë e mirë – por ky është negocim i dobët”.

“Pikë më të dobët e shoh në këtë marrëveshje të pranuar nga Kurti dhe të marrë si obligim”, u shpreh Gashi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *