Cramoni pret se me Planin evropian 5 shtetet e BE-së ta njohin Kosovën
Pas shumë vitesh tensionesh midis Serbisë dhe Kosovës, të dyja vendet kanë rënë dakord për një plan të BE-së të krijuar për të rregulluar marrëdhëniet e tyre të ardhshme.
Megjithatë, zbatimi dhe afati kohor mbeten të paqarta.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell njoftoi në fillim të kësaj jave se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishin pajtuar “që nuk nevojiten diskutime të mëtejshme rreth propozimit evropian”.
Propozim-marrëveshja që u bë publike pas takimit, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, pret që Plani evropian të shtyjë pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë.