Arrestohet Dan Hutra, vrau tre gra dhe plagosi tre të tjera në Tiranë
Arrestohet Dan Hutra, vrau tre gra dhe plagosi tre të tjera në Tiranë
Pas disa orësh arratisje, është kapur dhe arrestuar autori i masakrës së trefishtë në Tiranë, Dan Hutra. Ai është kapur nga policia në Kombinat, ku fshihej prej më shumë se 6 orësh.
Dan Hutra, rreth mesditës së kësaj të mërkure tronditi kryeqytetin me 3 ngjarje të ndryshme kriminale duke lënë pas 3 gra të vrara dhe 3 të tjera të plagosura në më pak se një orë. Gjakftohtë dhe i armatosur ai u përlesh fillimisht me Marjana Gurakuqin ne Astir duke tentuar t’i marrë paratë duke e lënë atë të plagosur me thikë në dorë. Më pas ai shkoi në banesën e familjes së ish bashkëshortes së tij Elena Hysës në zonën e kodër Kamzës ku qëlloi me breshëri drejt grave të familjes.
Dan Hudra është afruar në oborrin e banesës së familjarëve të ish-gruas së tij dhe ka qëlluar me breshëri automatiku duke lënë pa jetë motrën e gruas dhe nusen e vëllait të saj dhe plagosi ish bashkëshorten dhe nënën e saj. Gjakftohtë pasi kreu krimin ai u largua i armatosur me mjetin e tij Benz.
Të pajeta në vendin e ngjarjes mbetën Mevlude Hysa dhe Hasime Dafku ndërsa në spital po marrin ndihmë mjekësore Elena e Kujtime Hysa.
Me këtë mjet që shihet në këtë foto Dan Hutra u largua nga vendngjarja jo për tu arratisur por për të kryer një tjetër krim në rrugën “Besëlidhja” në Kamëz pa u ndeshur me asnjë pikë kontrolli apo patrullë policie.
Sipas dëshmitarëve një automjet i zi ka përshkruar rrugën “Beslidhja” në Kamëz dhe është pozicionuar buzë banesës së Etleva Kurtit dhe ka qëlluar drejt saj 3 herë duke e lënë të vdekur në vend 31-vjeçaren e cila ndodhej në oborr. Në ikje autor ka hedhur në vendngjarje armën e krimit.
Policia dyshon se pas këtij krimi mund të jetë Dan Hutra për shkak të konflikteve e që kishte me vëllanë e viktimës Vladimit Kurti në burg ku ai vuan dënimin me burgim të përjetshëm për grabitje me pasojë vdekjen. Megjithatë analizimi i gëzhojave, armës së zjarrit e provave të tjera do të japë një përgjigje në lidhje me këto dyshime.
Kjo nuk ishte hera e parë e Dan Hutrës që përfshihej në krime. Në vitin 2003 ai është arrestuar për pengmarrje të nënës dhe kunatës dhe përdhunim të kunatës tjetër ndërsa në 2007 u arrestua për vrasjen me thikë të bashkëshortes.
Në qershor të 2022 ai u rikthye në burg me akuzën e dhunës në familje ku u lirua pak javë më parë më 16 shkurt të këtij viti. Dan Hurda akuzonte bashkëshorten e tij Elenën se fëmijën që priste nuk e kishte me të dhe për këtë fakt e dhunonte. Ika e saj nga shtëpia dhe rikthimi tek prindërit e agravoi situatën aq sa ish-dhëndri paralajmëroi vrasjen qe e vuri në zbatim pasi doli nga burgu.