TË FUNDIT

7 vite burg për suharekasin që goditi me grushte një person i cili më pas vdiq në QKUK

7 vite burg për suharekasin që goditi me grushte një person i cili më pas vdiq në QKUK

Gjykata Themelore në Prizren, të mërkurën, në rigjykim, ka shpallur aktgjykim dënues për të akuzuarin Faruk Muça, duke e dënuar me 7 burgim për akuzën se nga goditjet i shkaktoi lëndime të rënda viktimës D.M., i cili më pas ndërroi jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Muça, është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Artan Sejrani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Muça është obliguar që në emër të shpenzimeve të procedurës penale të paguajë paushallin gjyqësor në shumën prej 1 mijë euro, ndërsa në emër të kompensimit të viktimave krimit shumën prej 50 euro, të gjitha këto pas plotfuqishmërisë të këtij aktgjykimi.

Pala e dëmtuar, Shkurte Muharremaj, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest civil.

Ndryshe, i akuzuari Muça, në seancën e mbajtur më 27 shkurt 2023, ka pranuar fajësinë për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” nga neni 189 i KPRK-së.

Për këtë rast, së bashku me të akuzuarin Muça, akuzohet edhe Avni Selmanaj për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, i cili në seancën e 27 shkurtit 2023, e ka mohuar fajësinë për veprën penale për të cilën ngarkohet, andaj për të njëjtin gjykatësi i rastit, Artan Sejrani ka bërë veçimin e procedurës penale.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren më 24 gusht 2022 kishte shpallur aktgjykim dënues, ku të akuzuarin Faruk Muça e kishte dënuar me 10 vite burgim, ndërsa të akuzuarin Avni Selmanaj më 13 vite burgim. Mirëpo, Gjykata e Apelit, e kishte kthyer rastin në rigjykim më 15 dhjetor 2022.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prizren, thuhet se i akuzuari Avni Selmanaj më 7 prill 2018, në kafenenë “Wullkani” në fshatin Gjinoc të Komunës së Suharekës, në gjendje të dehur pas një fjalosje brenda në lokal përleshet me tani të ndjerin D.M., e pasi që tani i ndjeri del jashtë dhe arrin te automjeti tij, i akuzuari Selmanaj e godet me një dorëz të thikës një pjesën e përparme të fytyrës, në anën e majtë të kokës, i cili më pas vdes më 29 prill 2018 në QKUK.

Për këto veprime, i akuzuari Selamanaj po ngarkohet me veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” nga neni 189, paragraf 5 lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.1 të KPRK-së.

Ndërsa, dispozitivi i dytë i aktakuzës e ngarkonte të akuzuarin Faruk Muça, se në kohë dhe në vend të njejtë, ndërhyn në ndërmjetësim, me ç’rast kishte goditur tani të ndjerin fuqishëm me grushte dhe i cili nga pjesa e pasme e kokës kishte rënë në beton, ku i shkakton thyerje viezore në regjionin zverkor të anës së majtë, regjionit të pasëm të kokës, ku tani i ndjeri D.M ndërron jetë më 27 prill 2018.

Për këto veprime, i akuzuari Muça ngarkohej me veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” nga neni 189, paragraf 4 lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.1 të KPRK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *