Zëdhënësi i BE-së: Liderët e Kosovës dhe Serbisë miratuan propozimin evropian
Zëdhënësi i BE-së: Liderët e Kosovës dhe Serbisë miratuan propozimin evropian
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano është deklaruar në lidhje me zhvillimet e djeshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi dhe takimit që kryeministri i Kosovës Albin Kurti pati me presidentin serb, Aleksandar Vuciq.
Stano ka konfirmuar se liderët dy shteteve kanë miratuar propozimin evropian për normalizim.
“Ajo që është rënë dakord në takim është se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejshme për përmbajtjen, për tekstin e propozimit dhe se nuk do të punojmë me palët për zbatimin. Sigurisht që ne si Bashkim Evropian do t’i ndihmojmë. Ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje”,tha Stano, transmeton lajmi.net.
Tutje ai theksoi se “Ata miratuan propozimin. Ata ranë dakord se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejshme për dokumentin dhe se mund të kalojmë në një fazë tjetër”,shtoi Stano në një konferencë për media.
Stano gjithashtu tha se takim tjetër do të ketë në muajin mars, gjë që është konfirmuar mbrëmë edhe nga Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Joseph Borrell.
“Tani do të kemi takim në mars, kurse Lajçak do të udhëtojë për në Kosovë dhe në Serbi. Puna nuk është kryer akoma, normalisht, por qëllimi i takimit të djeshëm ishte pajtimi rreth propozimit. Tani, ne bashkë me ta do të punojmë në zbatim. Presim që të gjitha marrëveshjet të zbatohen dhe ata u pajtuan që të mos bëjnë hapa të paakordinuar që do të vononin dinamikat e pajtuara dje”.
Ndryshe pas takimit të djeshëm që zgjati rreth pesë orë, presidenti serb, Aleksandar Vuciq deklaroi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk pranoi të nënshkruajë Asociacionin.
Kurse kryeministri Kurti tha se janë pajtuar për këtë propozim evropian, por nuk është nënshkruar nga pala serbe.
Sipas Qeverisë së Kosovës, Serbia nuk ka nënshkruar për shkak se janë në kërkim të ndryshimeve në kuadër të kërkesave të tyre gjë e cila nuk ka ndodhur dje.
Në lidhje me këto zhvillime dhe sa i përket propozimit franko-gjerman, pala kosovare dhe ajo serbe pritet që të takohen sërish më 18 mars, por këtë herë jo në Bruksel.
Sipas njoftimit të djeshëm palët do të zhvillojnë takimin e radhës në Maqedoninë e Veriut gjatë kohës kur Borrell do të ketë një takim zyrtar atje./Lajmi.net/