TË FUNDIT

Rritja e çmimeve e papërballueshme për qytetarët: Po jetojmë për një kafshore bukë

Rritja e çmimeve e papërballueshme për qytetarët: Po jetojmë për një kafshore bukë

Ngritja e vazhdueshme e çmimeve për produktet e konsumit është bërë sfidë për qytetarët e vendit tonë.

Përkundër që çmimet e derivateve kanë nis të zbriten, qytetarët kërkojnë që të ketë ulje edhe të çmimeve për produkteve tjera.

Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, edhe në muajin janar të këtij viti, inflacioni ishte 0.9 për qind më i lartë se muaji dhjetor 2022, derisa krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak kjo vlerë ishte 12.1 për qind. Sipas këtij raporti rritje të çmimeve ka pasur në pothuajse të gjitha produktet bazike të konsumit.

Qytetari, Gëzim Berisha, tha se kjo ngritje e çmimeve është vërejtur kohë më parë. Mirëpo, për të ndodhur kjo, ai tha se qytetarët e Kosovës nuk e kanë gjendjen ekonomike të njëjtë sikur qytetarët e shteteve të tjera të rajonit dhe BE-së.

“Kemi filluar t’i vërejmë edhe pak më herët, ka filluar të vërehet ngritja e çmimeve. Po i ngritin ndoshta me një arsye të caktuar, por ndoshta edhe të pacaktuar, por nuk është mirë të ngritën çmimet në stratosferë, sepse qytetarët dhe populli i Kosovës, nuk e kanë gjendjen ekonomike si shtetet e tjera, p.sh evropiane apo të rajonit. Këtu është problemi që duhet të shkojmë pak edhe të shohim se si është gjendja ekonomike, pagesat sa është paga në Kosovë dhe në bazë të saj të ngritën edhe çmimet… Thuajse në të gjitha produktet ka ngritje, nuk mundesh ta cekësh së këto apo ato janë të gjitha produktet, duke filluar nga produktet elementare për jetesë dhe këto që janë më luksoze… Qeveria duhet të punojë në drejtimin që qytetarëve të iu mundësojë gjendjen ekonomike dhe të punojnë, kur e sheh që një biznes i ngrit çmimet pa kritere të shkojnë dhe ta gjobitin. Nuk mundesh t’i veç pse e kam një biznes me e shit një produkt me një çmim sa ka dëshirë ai”, potencoi Berisha.

Edhe qytetari tjetër pensionist nga Prishtina, Hajriz Muharremi, pati pakënaqësitë e tij në lidhje me rritjen e çmimeve. Ai u shpreh se pensionin e shpenzon vetëm për barna, të cilat janë të nevojshme për shëndetin e tij. Ndërkaq, me rritjen e çmimeve, ati thekson se nuk po ia del ë ia dalin. Ndër të tjera, ai ka kritikuar edhe Qeverinë për mos mbështetje të mjaftueshme për pensionistëve.

“Kjo po shihet se janë rritur. Unë p.sh me 100 euro pension jam, tash kur të llogaritet me 100 euro, në të vërtetë me 80 euro, por unë kam punuar 45 vite dhe i marr vetëm 80 euro, e këto janë vetëm sociale. Qysh me ekzistua? Shiko, këto për barna i kam marrë, te gjitha këto i pi, mbi 12-të hapa në një ditë, e si të flasim për gjëra të tjera, kur ne nuk blejmë as pemë as asgjë, jetojmë vetëm për një kafshore bukë… Më së shumti është shtrenjtuar qumështi. Ne nuk blejmë ushqim luks, mirëpo edhe këto të cilat i përdorim ne janë shumë të shtrenjta, ne nuk po mund t’ia dalim. Për ata të cilët e kanë nga 2-3 mijë euro rrogën, nuk janë shtrenjtë. Kjo qeveri na ka mashtruar. Dëshironim ndryshim, edhe rinia e dëshironte ndryshimin, sepse u bë e tepërt, por kjo ka dal akoma më “pus”. Nuk kishte qenë asgjë kjo. Kurrë votën nuk ia jap më, për vete jo dhe as familja ime. Nuk ka treguar asgjë nga ajo se çfarë ka premtuar. Ka premtuar shumë, e ka “kall” qeverinë për të ardhur në pushtet, e tash nuk po punon”, tha Muharremi.

Kritikë të njëjtë për qeverinë pati edhe qytetari Osman Hyseni. Sa i përket ngritjes së çmimeve, ai tha se nuk po munden me ia dalë.

“Këta ato të cilat ju pëlqejnë, disa i zvogëlojnë disa i rritin disa të tjera si të dëshirojnë vet. Keq është, nuk është mirë. Një pastrim kimik e kemi dhe nuk kemi shtrenjtuar asgjë. Qysh i kemi pasur çmimet ashtu i kemi lënë. Për ne janë të përballueshme por për dikë jo. Ne i kemi kushtet pak më të mira mundësi më të mirë, kemi punë e gjëra, po për dikë keq është. Çmimet po e sheh se çka janë, njerëzit i kanë nga 100 euro, kanë ndihma, për ata është shumë zor. Për atë që punon, ai normal që ka diçka më shumë e më mirë. Veç, njëherë për njëherë shpresojmë të bëhet mirë. Edhe Kurti mirë ka nisur, por disi nuk e di, po punon veç vetëm aty nuk po më pëlqen. Unë e kam votuar por po punon vet, dijeninë veç vet, e vet nuk ka, duhet së bashku me qenë, ta pyes edhe dikë tjetër që din”, u shpreh Hyseni.

Ndërkaq, norma vjetore e inflacionit e matur në muajin janar 2023 me muajin janar 2022 ishte 12.1 për qind. Ky shtrenjtim ka ndodhur kryesisht për produktet: vajra dhe yndyra 26.0%; bukë dhe drithëra 21.2%, mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 20.5%, mish 18.9%, sheqer dhe ëmbëlsira 18.9% dhe prodhime ushqimore 16.5%.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *