Mulolli: Propozimi i BE-së në përgjithësi pozitiv për Kosovën
Mulolli: Propozimi i BE-së në përgjithësi pozitiv për Kosovën
Njohësi i zhvillimeve politike, Fitim Mulolli, vlerëson se plani i prezantuar sot nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është po thuajse identik me atë që ka rrjedhë kohë më parë.
“Perceptimi publik për këtë plan ka qenë i mirë. Në përgjithësi është i njëjti draft, derisa preambula është diçka e re. Kemi tekstin për mos paragjykimin e statusit mes palëve, pastaj respektimin e integritetin territorial”, ka thënë Mulolli.
Ai ka thënë se në përgjithësi prej preambulës e deri te neni 7, pikat e këtij plani janë pozitive për Kosovën, pasi sipas tij ka njohje de-facto, por mungon njohja de-jure.
“Neni 2 është më përmbajtësor dhe më pozitiv për Kosovën sepse parasheh që të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të barazisë sovrane të shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhe mosdiskriminimin”, ka thënë Mulolli në RTK.
Ai e ka vlerësuar mjaft pozitiv edhe nenin 4, që ia ndalon Serbisë të flasë në emër të Kosovës, si dhe përmirësimin e një fjale tek neni 7, i cili tash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit, e që në dokumentin e parë të paraqitur në opinion ka qenë fjalia një nivel i vetëqeverisjes.
Ai ka thënë se në takimin e radhës në muajin mars pret që të ndodhë edhe ceremonia e nënshkrimit të kësaj marrëveshje dhe më pas të niset me specifikat e zbatimit të marrëveshjes.