Haradinaj: Kam besim se ShBA-të do ta përmbyllin marrëveshjen me perspektivë integruese për Kosovën
Haradinaj: Kam besim se ShBA-të do ta përmbyllin marrëveshjen me perspektivë integruese për Kosovën
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar lidhur me propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Përmes një shkrimi në Facebook, Haradinaj është shprehur se ka besim në ShBA-të se do të na ndihmojnë që ta përmbyllim marrëveshjen që garanton Kosovën shtet të pavarur e sovran, përcjell lajmi.net.
“Ky propozim e ka marrë mbështetjen time dhe të AAK-së, sepse kemi vlerësuar se shënon një kapitull të rëndësishëm për njohjen edhe ‘de jure’ të Kosovës. Vlerësoj se kjo ka qenë më e mira e mundshme. Kjo mbështetje është bërë ekskluzivisht për vendin dhe pa kurrfarë kalkulimi elektoral…Unë kam besim në ShBA-të dhe në aleatët perëndimorë, se do të na ndihmojnë si edhe deri sot, që ta përmbyllim marrëveshjen që garanton Kosovën shtet të pavarur e sovran dhe me perspektivë të qartë integruese euro-atlantike.”, ka shkruar Haradinaj.
Tutje, Haradinaj ka theksuar se janë momente jetike për të ardhmen e Kosovës, prandaj kërkohet një unitet politik, i cili në asnjë rrethanë nuk mund të kuptohet si mbështetje për individin.
Megjithatë, është shprehur se mbetet edhe shumë punë për tu bërë, në mënyrë që krejt ky proces të mos degradojë.
“Këto janë momente jetike për të ardhmen e Kosovës, prandaj kërkohet një unitet politik, i cili në asnjë rrethanë nuk mund të kuptohet si mbështetje për individin. Gjithmonë do të kemi kohë t’i diskutojmë kusuret e Kryeministrit dhe të qeverisjes së tij katastrofike në planin e brendshëm. Natyrisht, mbetet edhe shumë punë për tu bërë, në mënyrë që krejt ky proces kaq i rëndësishëm, të mos degradojë e të finalizohet me sukses.”, ka vijuar ai./Lajmi.net/