Mjekët padisin Qeverinë dhe ShSKUK-në, kërkojnë trajtim me urgjencë
Mjekët padisin Qeverinë dhe ShSKUK-në, kërkojnë trajtim me urgjencë
Odja e Mjekëve të Kosovës ka dhënë detaje lidhur me padinë e ngritur ndaj Qeverisë së Kosovës për shtesa nga pako emergjente dhe padinë ndaj Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës lidhur me kompensimin e kujdestarive nga marrëdhënia e punës.
Paditë ndaj këtyre dy institucioneve janë ngritur kohë më parë dhe se OMK, në interval të ndryshme kohore ka paraqitur pranë Gjykatës edhe kërkesat për trajtim me urgjencë, gjë që nuk ka ndodhur deri tash.
NJOFTIM LIDHUR ME PADITË PËR SHTESA DHE KUJDESTARI!
Të nderuar anëtarë të Odës së Mjekëve,
Si rrjedhojë e kërkesave të shumta të parashtruara nga Ju me qëllim informimin rreth zhvillimit të procedurës gjyqësore për padinë për shtesa nga pako emergjente dhe padinë për kompensimin e kujdestarive nga marrëdhënia e punës, Ju informojmë si në vijim:
Sipas autorizimit të dhënë nga Ju, Oda e Mjekëve të Kosovës me datë 21 mars 2021 ka parashtruar në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesë padinë ndaj të paditurës Qeveria e Republikës së Kosovës, me bazë juridike kompensim i shtesave nga Pako Emergjente Fiskale sipas Vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 05/18 i datës 29.07.2020 dhe Nr.18/38 i datës 30.10.2020. Që nga ajo kohë në interval të ndryshme kohore ka paraqitur pranë Gjykatës edhe kërkesat për trajtim me urgjencë të këtij kontesti, ku kërkesa e fundit Gjykatës i është dorëzuar me datë 23 shkurt 2023.
Poashtu, Ju informojmë se sipas autorzimit të dhënë nga Ju, Oda e Mjekëve të Kosovës me datë 23 qershor 2021 ka parashtruar në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesë padinë ndaj të paditurës Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), me bazë juridike kompensim i pagave shtesë në emër të kujdestarive nga marrëdhënia e punës. Që nga ajo kohë në interval të ndryshme kohore ka paraqitur pranë Gjykatës edhe kërkesat për trajtim me urgjencë të këtij kontesti, ku kërkesa e fundit Gjykatës i është dorëzuar me datë 23 shkurt 2023.
Lidhur me zhvillimin e procedurës kontestimore në të dyja rastet, kompetente tanimë është Gjykata Themelore në Prishtinë, meqenëse Oda e Mjekëve të Kosovës sipas autorizimeve ligjore ka konsumuar të gjitha veprimet juridike deri në këtë fazë të procedurës!
Oda e Mjekëve të Kosovës do t’i informojë anëtarët e saj, varësisht nga zhvillimet që do të ndodhin lidhur me këto dy konteste gjyqësore.