Escobar i takon Kurtin e Vuçiqin para takimeve të tyre me Borellin
Raportohet se i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është në Bruksel dhe ka planifikuar të takohet me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Sipas burimeve, të cilat i citon Radio Evropa e Lirë, takimet e Escobarit me dy liderët do të mbahen, para se ata të jenë në selinë e Bashkimit Evropian për takimet me ndërmjetësuesit evropianë, që më vonë do të kalojnë në takimet trilaterale.
Ky konsiderohet si takimi më i rëndësishëm në dhjetë vitet e fundit, pasi kryeministri i Kosovës dhe presidenti serb pritet të pranojnë propozim evropian për marrëveshjes bazë.
Propozimi evropian, që ndryshe njihet edhe si plani franko-gjerman, sic është thënë zyrtarisht, është i sponsorizuar nga BE-ja, me përkrahje të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përmbajtja e planit franko-gjerman nuk është zbuluar asnjëherë zyrtarisht, por akterë të përfshirë kanë konfirmuar disa prej pikave që ai i përmban. Ndër to është zotimi për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëhershme të nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë, respektimi i integritetit të palëve, mospengimi për anëtarësim në organzata ndërkombëtare.