DASH: Propozimi i BE-së, mundësi për popullin e Kosovës dhe atë të Serbisë
DASH: Propozimi i BE-së, mundësi për popullin e Kosovës dhe atë të Serbisë
Departamenti amerikan i Shtetit, ka thënë se propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë paraqet mundësi për popujt e të dyja vendeve, për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Duke cituar bllokun evropian, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë për Radio Evropa e Lirë se pranimi i kësaj marrëveshjeje do të përshpejtonte rrugën e të dyja shteteve në BE.
“Pranimi i kësaj marrëveshjeje do të ndihmojë në avancimin e qëllimeve tona kyçe për rajonin e Ballkanit Perëndimor përfshirë arritjen e paqes dhe stabilitetit për të gjithë njerëzit në rajon”.
Këshilltari i lartë i këtij departamenti, Derek Chollet, ka thënë një ditë më parë se Shtetet e Bashkuara presin përparim të dukshëm në takimin që do të zhvillohet të hënën në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Alekesandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel, shkruan REL.
Ai i ka bërë këto deklarata pas një bisede telefonike që ka zhvilluar me Vuçiqin.
Dy ditë më parë, Chollet ka biseduar edhe me Kurtin për rëndësinë e takimit të 27 shkurtit.
Blloku evropian e konsideron takimin e gjashtë mes dy liderëve si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.
Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve.
Këtë propozim e përkrahin edhe Shtetet e Bashkuara.
Burimet e BE-së në Bruksel kanë thënë në prag të këtij takimi se, presin që Kurti dhe Vuçiq të pranojnë propozimin, pa diskutime të mëtejme.
Pikë debati pritet të jetë vetëm një aneks për implementimin e pikave të marrëveshjes.
Në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, propozimi parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Përveç propozimit të BE-së, Departamenti amerikan i Shtetit ka përsëritur thirrjen ndaj Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani në kuadër të dialogut.
Thirrjen e njëjtë ia kanë bërë Kurtit edhe tre liderët evropianë – presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni – në një letër të nisur të dielën.
Duke e përmendur rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve dhe arritjes së pajtueshmërisë, Macron, Scholz dhe Meloni, kanë thënë se janë të bindur që nga një përparim i tillë përfitojnë qytetarët, si dhe avancohet rruga e Kosovës drejt integrimeve evropiane.
Kosovës, së fundi është duke iu rritur trysnia për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Mirëpo në BE nuk kanë asnjë dyshim që me pranimin e propozimit të BE-së, pranohet edhe obligimi për Asociacionin.
Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.
Përgjatë kësaj kohe janë nënshkruar diku 33 marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.
Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale.
Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.