TË FUNDIT

Qeveria e Kosovës ua mundësoi udhëtimin, përfaqësuesit e Luginës nga nesër qëndrojnë në Uashington

Qeveria e Kosovës ua mundësoi udhëtimin, përfaqësuesit e Luginës nga nesër qëndrojnë në Uashington

Një delegacion nga Lugina e Preshevës duke filluar nga nesër do të qëndrojë në Washington.

Lajmin e ka bërë të ditur deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili ka thënë se brifingu i cili do të mbahet në senatin e ShBA-ve, është një mundësi historike.

“Delegacioni, pjesë e të cilit do të jem bashkë me Ardita Sinanin e Ragmi Mustafin, Flora Feratin, Nagip Arifin e Ragmi Mustafën, për herë të parë do të ketë mundësinë që t’i drejtohet Senatit Amerikan dhe të raportojë për situatën në Luginë të Preshevës e për shqiptarët dhe pozitën e tyre. Përpjekjet tona për realizimin e të drejtave të plota dhe krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë, përveç që janë beteja politike të përbashkëta, janë edhe kërkesë e nevojë e përditshme e çdo qytetari shqiptar në Luginë të Preshevës. E përpjekja është obligim i yni. Në vend dhe jashtë vendit. Prandaj nuk duhet të lodhemi e aq më pak të heqim dorë”, ka shkruar ai, duke shtuar shqiptarët e Luginës së Preshevës, për 22 vite me radhë, e pas përfundimit të luftës së UÇPMB-së, kanë tri marrëveshje të nënshkruara me qeveritë në Beograd me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar.

“Sot, 22 vite më vonë, ne ende flasim për nevojat tona të përditshme e për obligimet e marra që qeveritë e Beogradit nuk i kanë realizuar. Në vend të zgjidhjes së problemeve e realizimit të kërkesave tona legjitime, faktorë të ndryshëm vendorë, me vite me radhë, mundohen të bllokojnë çdo koordinim tonin të përbashkët, çdo iniciativë të shëndoshë e çdo tentativë për t’i siguruar jetë më të mirë të qytetarëve tonë. Prandaj, sot më shumë se kurrë kemi nevojë për koordinim të brendshëm e bashkëpunim të afërt me Prishtinën e Tiranën. Harmonizim të politikave tona me miqtë tanë ndërkombëtar e senzibilizim të çështjes së shqiptarëve të Luginës. Për këtë do të jemi në Washington e me këtë nuk do të përfundojmë angazhimin tonë. Faza e re në të cilën po hyn çështja e pakicave në Ballkan është mundësi e mirë për trajtimin simetrik të pozitave të tyre gjithandej. Evropa e Bashkimi evropian duhet të mbetet orientimi i vetëm i Ballkanit Perëndimor. E atje, në BE, nuk do mund të shkojë as edhe një shtet, e as Serbia, pa filluar të merret seriozisht me avancimin e pozitës së pakicave dhe sigurimin e të drejtave të barabarta. Barazia dhe të drejtat tona kolektive do të jenë temë e jona edhe në Washington e kërkesë e jona edhe ndaj Brukselit e kryeqendrave tjera evropiane. Duke uruar që gjithçka të ecë mirë, ju njoftoj që me kthimin tonë nga Washingtoni, nëpërmjet një konference për media, do të ju njoftojë për ecurinë e angazhimit tonë politik. Në fund, falënderoj Qeverinë e Republikës së Kosovës, e cila po mundëson vizitën tonë, të tretën me radhë, brenda një viti në SHBA-a dhe Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane për përkushtimin e parezervë për kauzën tonë të drejtë tash e dy dekada”, ka shkruar ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *